Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel ka insistuar se sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja nuk do të largohet nga ekipi londinez këtë verë përkundër ofertave të shumta nga skuadrat tjera. Kështu, ka raportuar “Sky Sports” të mërkurën.
Tuchel ka thënë se do të bisedojë personalisht edhe me Brojën, i cili mund të ketë minutazhë te Chelsea në sezonin e ri. Ai ka thënë sinjale se Broja është pjesë e planeve të tij te Chelsea.
Edicionin e fundit, Broja ishte i huazuar te Southamptoni ku tregoi paraqitje të mira, duke shënuar nëntë gola në të gjitha garat. 20-vjeçari ka kontratë me Chelsean deri në verën e vitit 2026.
“Nuk pres që ai të largohet. Unë jam në dijeni të ofertave dhe i vetëdijshëm për interesin. Ne do të marrim një vendim së bashku, pronari, unë dhe lojtari. Kur ai mbërriti është e qartë se ai po përpiqet të bëjë përshtypje dhe të bëhet një lojtar i Chelseat. Pas huazimit të tij në Southampton është e qartë se ai dëshiron të bëjë hapin tjetër. Fatkeqësisht, ai u lëndua dhe tani ka shumë interes për të. Le të shohim se si do të shkojë. Ai ka një kontratë këtu”, ka thënë Tuchel.
“Ne kemi shumë opsione, por jo llojin e lojtarit të Armandos. Ai ka mundësi që ai të marrë minuta këtu. Ai ka luajtur tashmë në Premier League. Me Armandon ne duhet ta shikojmë situatën me shumë kujdes dhe të vendosim nëse i kemi minutat që mund t'i ofrojmë në mënyrë që ai të rritet këtu ose t'i japim një tjetër huazim për t'i dhënë minuta në ndeshje”.