Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tuchel u shkarkua nga Chelsea për tre minuta

Thomas Tuchel ka pranuar se ende i dhemb shkarkimi nga Chelsea, ndërsa ka treguar se periudha e tij në krye të klubit londinez kishte përfunduar në një takim që ka zgjatur vetëm tre minuta.

Tekniku gjerman e nis kaptinën e re si trajner të shtunën, kur do të jetë në krye të Bayern Munichut në derbin kundër ish-skuadrës, Borussia Dortmundit.

“Ishte shokuese. E kam ndierë në momentin që po shkoja në qendrën stërvitore. Takimi që kishim ishte i pazakontë dhe doli të ishte shumë i shkurtër. Ishte ora 8 e mëngjesit, dhe zgjati prej tre deri në pesë minuta. Nuk isha në disponim që të flisja shumë. U mor vendimi dhe sinqerisht, ishte befasues për të gjithë. Kishim ndjenjën se gjithçka po shkonte mirë. E ndienim se mund të arrinim gjëra të mëdha dhe dëshiroja të ishim së bashku për më shumë kohë. Kishim marrëdhënie të mirë me stafin, ende kemi”, ka thënë ndër të tjera Tuchel, shkruan “Daily Mail” të premten.