Barcelona, Chelsea dhe Arsenali kanë humbur më së shumti para në transferime të lojtarëve në futbollin botëror gjatë dekadës së fundit, ka treguar një studim, shkruan “BBC” të mërkurën. “CIES Football Observatory”, që merret me bilancin financiar të klubeve, ka bërë llogaritjen dhe ka publikuar listën. Nuk janë marrë për bazë lojtarët e akademive që kanë nënshkruar dhe janë shitur nga ekipet prej vitit 2014 deri në fund të vitit 2023.
Gjiganti i La Ligas, Barcelona, ka pasur më së shumti humbje, 631 milionë, ndërsa Lille ka arritur përfitimet më të mëdha, 386 milionë euro.
Gjashtë klube të Premier Leagues janë në dhjetëshe për më së shumti humbje. Pas Chelseat dhe Arsenalit, që renditen në vendin e dytë e të tretë, Manchester Unitedi është i pesti, Aston Villa e shtata, Evertoni i teti dhe Liverpooli i nënti. Pjesë e këtij studimi janë 50 klube për humbje dhe përfitime në aspektin financiar. Në këtë publikim tregohet po ashtu se si shumë lojtarë të transferuar për shuma të mëdha të parave janë larguar pas një kohe të shkurtër për një shumë dukshëm më të vogël.
Barcelona ka shpenzuar mbi 1.2 miliardë euro dhe ka fituar 613 milionë euro. Si shembull është marrë Philippe Coutinho, i cili u transferua nga Liverpooli për 135 milionë euro, ndërsa u shit tek Aston Villa për 20 milionë euro. Barcelona po ashtu kishte transferuar Ousmane Dembelen nga Dortmundi për 135 milionë euro, para se të shitej për 50 milionë euro te Paris Saint-Germaini. Chelsea humbi 482 milionë euro, Arsenali 436 milionë euro, ndërsa Manchester City, fitues i tripletës në edicionin e kaluar, pati vetëm 59 milionë euro humbje. Nga Gjermania, Bayern Munichu mban epitetin e skuadrës me humbje të mëdha, prej 61 milionë eurove.
Lille ndërkohë ka bërë përfitime prej 386 milionë eurove. Te kjo skuadër luan Edon Zhegrova. Skuadra franceze përfitoi shumë nga shitja e sulmuesit Victor Osimhen. Ai iu bashkua skuadrës së Amir Rrahmanit, Napolit, për 75 milionë euro. Përfitime prej 317 milionë eurove pati Ajaxi.