Trepça vlerësohet prej skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar. Por këtë edicion nuk po ia del të evitojë humbjet. Madje pas xhiros së katërt të Superligës së Kosovës është skuadra e vetme që nuk ka fitore.
Fitore kanë edhe skuadra fare të reja në Superligë si Ponte Prizreni, Lipjani e Borea, por jo edhe Trepça, që së bashku me Prishtinën, Pejën e Bashkimin vlerësohet se përbëjnë katërshen e madhe të basketbollit kosovar, shkruan sot Koha Ditore.
Trepça të dielën e luajti takimin e fundit të xhiros së katërt. Në palestrën "Minatori" në Mitrovicë u përball me Rahovecin, ndërsa pësoi me rezultat të ngushtë, 89:88. Amerikani Mark Dorris dështoi në tentimin e fundit dhe kështu fitorja i takoi Rahovecit.
Fundi i ndeshjes ishte dramatik, ndërsa Rahoveci kaloi në epërsi 89:88, falë realizimit të dy gjuajtjeve të lira nga amerikani Deshon Minnis, kur kishin mbetur edhe 13 sekonda deri në fund. Për Rahovecin ishte fitorja e katërt nga po aq ndeshje. Katër fitore i ka vetëm edhe Z Mobile Prishtina që prin. Ndërkohë Trepça është e fundit me katër pikë, që ia siguruan katër humbjet e deritashme.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)