Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça ndahet me trajnerin Joncevski

Mungesa e rezultateve në Superligën e Kosovës në basketboll, nuk po përballohet lehtë në klubin Trepça dhe sidomos te tifozët e këtij klubi.

Trepça të shtunën pësoi humbje të thellë në “Minatori” nga Sigal Prishtina, ndërsa menjëherë të dielën është ndarë me trajnerin maqedonas, Alek Joncevski.

Sipas njoftimit të klubit mitrovicas, Joncevski ka dhënë dorëheqje. Është trajneri i dytë që largohet nga klubi mitrovicas në këtë edicion. Trepça kishte nisur kampionatin me bullgarin Lubomir Minchev, me të cilin kishte rezultate të mira në edicionin e kaluar. Por pas krizës në rezultate, Minchev ishte larguar në tetor. Në vend të tij kishte ardhur Joncevski, por as ai nuk mbijetoi gjatë.

Joncevski, që është selektor i Maqedonisë së Veriut, në krye të skuadrës mitrovicase erdhi më 27 tetor.

Trepça ka synime për ta fituar titullin dhe ka formuar skuadër konkurrente, me shumë reprezentues të Kosovës pjesë të saj. Ka ndërruar edhe shumë amerikanë dhe aktualisht i ka katër në përbërje. Por rezultatet nuk janë as afër në përputhje me synimet. Deri më tani ka nëntë fitore e nëntë humbje dhe mban vendin e katërt.

Të shtunën në “Minatorin” e mbushur me shikues, Trepça pësoi thellë nga Sigal Prishtina, 88:53. Me rezultat të lartë e kishte humbur edhe ndeshjen e kaluar në shtëpi. Bashkimi kishte triumfuar në Mitrovicë me shifrat 87:62.

Joncevski ka fajësuar edhe lojtarët për rezultatet e dobëta të Trepçës. Ai mori përgjegjësinë për humbjen nga Prishtina.

Ndeshja ishte ndërprerë për shkak të sharjeve në kor të tifozëve të Trepçës. Kishte vazhduar vetëm pas largimit të shikuesve nga tribunat.

“Ky ekip është projektuar për të qenë lider në këtë ligë, për të fituar trofe. Ajo që treguam sonte nuk ka të bëjë me këtë. Nuk mund të bëhen më ndryshime në skuadër, lojtarët që janë këtu duhet, po ashtu, të marrin përgjegjësi. Diçka po ndodh ndeshje pas ndeshjeje. Për herë të katërt po luajmë me energji më të vogël se në stërvitje. Është e pashpjegueshme. Lojtarët duhet të punojnë më fort dhe të kthehen në rrugën e duhur. Disa individë më shumë kujdesen për veten se për ekipin dhe nuk e meritojnë të veshin fanellën e Trepçës. Unë do të marr përgjegjësinë i pari, por, po ashtu, janë disa lojtarë që me mendje nuk janë këtu dhe nuk e meritojnë të veshin këtë fanellë”, kishte thënë Jancevski pas ndeshjes me Sigal Prishtinën.

Ai mori përgjegjësinë dhe dha dorëheqje. Drejtuesit e klubit tani duhet të vendosin për trajnerin e tretë të këtij kampionati, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë ndryshime të tjera në skuadër. Trepçën e pret udhëtim i vështirë në Pejë në kuadër të xhiros së 19-të. Më pas e pret Golden Eagle Yllin, në një tjetër ndeshje të vështirë.

Artikuj të ngjashëm