Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça ndahet me Koljeviqin

KB Trepça nga Mitrovica ka lëshuar një komunikatë në “Facebook” në të cilën sqaron situatën e plejmejkerit nga Mali i Zi, Ivan Koljeviq. Koljeviq, më herët bëri një postim në të cilin njoftoi se po largohet nga Trepça për shkaqe familjare, gjë që është mohuar nga klubi mitrovicas.

Në komunikatë thuhet se klubi i ka shkëputur kontratën Koljeviqit për shkak të sjelljeve të pahijshme që ka pasur para, gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin. Madje, thuhet se Koljeviq ka fyer trajnerin, kryesinë dhe bashkëlojtarët kurse kjo nuk ishte hera e parë që është sjellë në këtë mënyrë në raport me klubin.

“Të vetëdijshëm se rezultati i ndeshjes me Vëllaznimin ishte dëshpërues për tifozët tanë të shumtë e të zjarrtë, mund të garantojmë të gjithë që po angazhohemi për ta mbajtur klubin dhe skuadrën në nivelin më të lartë. Si pjesë e këtij synimi, kryesia e klubit ka analizuar gjendjen në skuadër dhe sjelljet dhe angazhimin e akterëve para, gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin. Pas analizës së thuktë dhe shqyrtimit të të gjitha fakteve, kryesia e klubit ka vendosur të shkëpus kontratën me basketbollistin Ivan Koljeviq. Ai gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin ishte destruktiv në raport me skuadrën. Ka fyer kryesinë, trajnerin dhe lojtarët e tjerë. Është hera e dytë që lojtari në fjalë bën sjellje jo të mira dhe jo të pranueshme”, thuhet në komunikatën e Trepçës. “Hapësirë për falje më nuk ka, sidomos pas postimit të tij të fundit. Pa biseduar as me kryesinë e as me asnjë anëtar të klubit ai deklaron se shkon për shkaqe familjare, gjë që nuk është e vërtetë. Të gjithë që vinë në klubin tonë duhet ta kuptojnë që duhet respektuar fanella dhe qyteti, sepse ky qytet ka bërë shumë sakrificë për Trepçën tonë. Klubi është mbi të gjitha! Vazhdojmë para për një Trepçë, çfarë e meritojnë Torcida e Mitrovica”.

Koljeviq iu bashkua Trepçës në fund të muajit janar dhe ishte më i dalluari në ekip. Në dhjetë ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës, Koljeviq ka pasur një mesatare prej 20.5 pikëve dhe 9.6 asistimeve për ndeshje. Trepça, aktualisht është në pozitën e gjashtë në tabelë me 35 pikë të mbledhura pas 25 ndeshjeve të luajtura.