Trepça është në finale të Kupës së Kosovës në basketboll. Të premten mbrëma në “Karagaçi”, Trepça e ka mposhtur Pejën me rezultatin 83:76.
Peja e nisi furishëm ndeshjen dhe pas çerekut të parë kishte epërsi prej 23:10. Në çerekun e dytë epërsia e Pejës shkoi deri në 20 pikë (31:11). Por mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe u kthyen gradualisht. E fituan çerekun e dytë, të tretin dhe të katërtin, për të bërë vend në finalen e madhe që zhvillohet të dielën po në palestrën në Pejë.
Më efikasi te Trepça ishte Corban Collins me 17 pikë. Ty Cockfield shtoi 14 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime. Amin Hot kontribuoi me nëntë pikë, nëntë kërcime e dhjetë asistime.
Te Peja u dallua Daniel Lekndreaj me 17 pikë e 11 kërcime. 17 pikë i kishte edhe Dardan Berisha.
Në gjysmëfinalen e dytë, prej orës 20:00, takohen Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi.