Sport

Trepça, me gjithë telashet, e gatshme për derbi

Sigal Prishtina i ka rezistuar dy herë këtë edicion atmosferës së zjarrtë në palestrën "Minatori", duke fituar ndeshjet me Trepçën.

Prishtina ka fituar edhe një ndeshje në shtëpi ndaj "xehetarëve", ndërsa dy javë më parë pikërisht në "Minatori" fitoi Kupën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Pejën në finale, pasi në gjysmëfinale e kaloi Trepçën.

Trepça në atë gjysmëfinale ishte me përbërje të plotë dhe ende nuk ishin bërë publike telashet e mëdha të brendshme të "xehetarëve". Këtë të mërkurë lojtarët vendorë të Trepçës njoftuan se do të bojkotojnë aktivitetet e skuadrës, pasi, sipas tyre, klubi u ka mbetur borxh disa paga, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një letre publike të lojtarëve vendorë të Trepçës. Në fakt nuk është se Trepça ka edhe fond shumë të pasur të vendorëve. Së fundi, hapësirë kanë pasur Besnik Azemi, Samir Zekiqi, Burim Zekiqi e Agon Selmani. Në skuadër janë edhe disa lojtarë të rinj vendorë, por ata nuk janë pjesë e bojkotit që ka nisur të hënën.

Ka gjasa që të gjithë lojtarët të luajnë në derbin e radhës ndaj Sigal Prishtinës që luhet të shtunën (sot) nga orën 18:00 dhe i takon xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Vendimi për bojkot ishte në fuqi edhe të premten pasdite, por lojtarët kanë vendosur të shqyrtojnë edhe njëherë situatën. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.