Pejë, 22 janar – Trepça është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Karagaçin” e mbushur me shikues, Trepça ka mposhtur Pejën me rezultat 91:83.
Ishte ky derbi i xhiros së 19-të të Superligës në basketboll.
Skuadra mitrovicase kishte pësuar humbje të thellë në xhiron e kaluar. Ishte mposhtur në shtëpi nga Prishtina me shifrat 88:53. Kjo solli dorëheqjen e trajnerit maqedonas Alek Jonçevski. Të hënën, Ilir Selmani u zyrtarizua trajner e pas tij edhe turku Engin Gençoglu, të enjten. Selmani tani është ndihmës i Gençoglut.
Trepça ka bërë shkëputjen e madhe në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 31:15. Ka dominuar edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 23:18. Epërsia e Trepçës shkoi deri në 20 pikë.
Peja reagoi në fillim të çerekut të katërt, duke u afruar në rezultat pas një serie impresive. Por mitrovicasit megjithatë ia dolën ta mbajnë epërsinë deri në fund për fitoren e madhe në derbi.
Will Daniels shkëlqeu te Trepça. Ai e mbylli ndeshjen me 25 pikë e nëntë kërcime. Amerikani tjetër, Ken Brown realizoi 21 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Ndërkohë Mikail Tmushiq kontribuoi me 20 pikë e gjashtë kërcime.
Edhe
Trepça fiton ndeshjen dramatike në Pejë, kualifikohet në finalen e madhe
Isiah Umipig ishte më i miri te Peja. Ai ndeshjen e mbylli me 16 pikë e katër kërcime. Brad Waldow shtoi 12 pikë e shtatë kërcime, ndërsa më efikasi ishte Rodney Purvis me 20 pikë.
Peja ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për dy pozitat e para në tabelë. Tani i ka 32 pikë, një më pak se Sigal Prishtina. Ndërkohë Trepça është e katërta me 29 pikë.