Pas humbjes në xhiron e shkuar, KB Trepça është kthyer te fitorja në xhiron e 26-të në Superligën e Kosovës. Të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça triumfoi ndaj skuadrës së Bashkimit me shifrat 83:77.
Me këtë fitore, Trepça forcohet në pozitën e dytë në tabelë me 44 pikë, dy më pak se Golden Eagle Ylli që është lider. Ndërkohë, Bashkimi mbetet i parafundit në tabelë me 36 pikë të mbledhura.
Taurus Cockfield, Rodney Purvis e Drilon Hajrizi ishin më të dalluarit, pasi ndeshjen e mbyllën me nga 17 pikë të shënuara secili.
Edhe te Bashkimi ishin tre lojtarë më pikë dyshifrore por që nuk ndihmuan ekipin të evitojë humbjen. Corey Raley-Ross ishte më efikasi me 20 pikë, i përcjellë nga Julien Lewis (16 pikë ,10 kërcime) e John Florveus (14 pikë).
Deri në fund të pjesës së rregullt, Trepça i ka edhe dy ndeshje. Në xhiron e ardhshme është mysafire e Sigal Prishtinës, përpara se të luajë në shtëpi kundër Rahovecit në javën e fundit të pjesës së rregullt.
Ndërkohë, Bashkimi luan me Prizrenin-16 dhe me Dritën.