Klubi i basketbollit Trepça ka njoftuar se ka dështuar në transferimin e basketbollistit amerikan, Carren Wilson Jr, i cili është pjesë e Teutës së Durrësit.
CJ Wilson ishte paralajmëruar si përforcim nga Trepça për sezonin e ri të Superligës që nis të shtunën, por basketbollisti megjithëse kishte premtuar se nuk ka marrëveshje me asnjë klub, ai ishte ende në lidhje kontrate me ekipin nga Durrësi, transmeton KTV.
Gjatë bisedimeve me Trepçën, Wilsoni dhe agjenti i tij kishin pretenduar se basketbollisti mund të transferohet si lojtar i lirë pasi që nuk ka kontratë me asnjë klub. Përmes llogarisë në Facebook, Trepça ka bërë të ditur se Wilsoni e kishte mbajtur edhe një seancë stërvitore me ta.
Megjithatë, kur e kishin kuptuar se Wilsoni kishte kontratë me Teutën, drejtuesit e Trepçës tentuan ta arrijnë një marrëveshje me drejtuesin e klubit nga Shqipëria. Mirëpo, një marrëveshje e tillë nuk u arrit.
Kryesia e Trepçës u ka kërkuar falje tifozëve të klubit për këtë transferim të dështuar, mirëpo ka premtuar që së shpejti do ta marrin një përforcim të ri. Gjatë këtij afati kalimtar, Trepça veçse i ka angazhuar dy lojtarë të ri, Baker II Kevin dhe Harold Rigeway.
Trepça është në pozitën e katërt në Superligën e Kosovës, me 7 fitore e shtatë disfata, derisa ndeshjen e parë të sezonit e zhvillon ndaj Prishtinës, të dielën.