Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça vazhdon me përforcime të mëdha, angazhon tjetër amerikan cilësor

Klubi i basketbollit Trepça ka bërë të ditur edhe një herë se ka synime të mëdha për edicionin e ardhshëm garues. Shumë më herët se skuadrat tjera kosovare, Trepça po e kompleton skuadrën për edicionin e ri, në të cilin do të paraqitet edhe në FIBA Europe Cup.

Klubi mitrovicas të enjten ka prezantuar edhe një basketbollist cilësor të huaj. Bëhet fjalë për amerikanin Clevon Brown që kryesisht luan nën kosh, përkatësisht në pozitën katër. Ai vjen nga liga universitare e SHBA-së, NCAA. Së fundi në fakt pati një përvojë të shkurtër në Australi, ku i luajti shtatë ndeshje për skuadrën Mt Gambier, nga maji deri në fillim të korrikut. Në NCAA së fundi ishte te skuadra FIU, Florida International University.

Te FIU ka startuar në të gjitha 31 ndeshjet në edicionin 2021/2022. Ka luajtur me mesatare prej 8,3 pikëve për ndeshje, ndërsa kishte efikasitet prej 50,2 për qind nga gjuajtjet. Ishte më i miri i skuadrës në kërcime (5,3) dhe në bllokada (1,7).

Më herët ishte te universiteti Vanderbildt. Në vitin 2019 kishte pësuar lëndim të gjurit dhe luajti vetëm nëntë ndeshje. Për këtë iu dha një vit shtesë në NCAA.

Brown 23-vjeçar, është i gjatë 203 centimetra.

Prani fizike nën kosh Trepçës do t’i jap edhe amerikani tjetër, Jahsim Floyd. Këtë basketbollist të pozitës qendër, mitrovicasit e kanë prezantuar që më 25 qershor. Trepça ka angazhuar edhe Erjon Kastratin e Mikaile Tmushiqin të Golden Eagle Yllit, ndërsa ka vazhduar me Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Samir Zekiqin e Valdrin Haxhiun.

Edhe Trepça rikthen amerikanin Brown Sport Trepça rikthen amerikanin Brown

Pritet që së shpejti Trepça të angazhoi edhe një fundor të huaj dhe kështu të kompletoi ekipin për edicionin e ardhshëm. Mitrovicasit i nisin stërvitjet në fillim të gushtit dhe trajneri bullgar, Lubomir Minchev do ta ketë ekipin e kompletuar.

Skuadra mitrovicase, që kishte përkrahje të madhe të shikuesve, u ndal në finale të plejofit në edicionin e kaluar. Fitoi Kupën e Kosovës.

Tani Trepça për herë të parë testohet në skenën evropiane dhe drejtuesit e klubit janë angazhuar për një ekip cilësor.