Në fillim të kësaj jave, Ilir Selmani e mori drejtimin e KB Trepçës pas largimit të Alek Jonçevskit, ndërsa të enjten skuadra nga Mitrovica ka prezantuar trajnerin e ri. Bëhet fjalë për turkun Engin Gençoglu, i cili do të jetë në krye të ekipit deri në fund të sezonit.
Me ardhjen e Gençoglut, Selmani do të jetë pjesë e shtabit teknik të tij. Ky është trajneri i katërt i Trepçës këtë sezon, të cilin e nisi me bullgarin Lubomir Minchev.
Gençoglu 41-vjeçar ka punuar kryesisht në Turqi, ndërsa së fundmi ka qenë trajner i Konyasporit, ekip që këtë sezon e futi në elitën e basketbollit turk. Ai ka qenë edhe te skuadrat tjera, si Pinar Karsiyaka, Beshiktash e Bostanlispor.
Trepça këtë sezon e nisi me synime të mëdha, por nuk po ka rezultate pasi dy ndeshjet e fundit që i ka luajtur në Mitrovicë, i ka humbur me nga 30 pikë nga Bashkimi e Sigal Prishtina. Aktualisht, renditet e katërta në tabelë me 27 pikë të mbledhura, katër më pak se Golden Eagle Ylli që është lider.
Ndeshjen e radhës në kampionat, Trepça e luan të dielën në udhëtim te Peja në kuadër të xhiros së 19 të Superligës së Kosovës në basketboll.
-
Trepça njofton se kush e zëvendëson Gençoglun
-
Selmani i gatshëm për ndeshjet më të rëndësishme të Trepçës, synon fitore ndaj Pejës
-
Dramë te Trepça, titulli kërkohet me trajnerin e katërt të edicionit
-
Lindrit Misini insiston se Trepça do të jetë kampione edhe pa Gençoglun
-
Gençoglu flet për KOHËN pas largimit nga Trepça