Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Trepça ’89, e ka nisur me fitore edicionin e ri në Ligën e Parë të Kosovës – Grupi A, që është rangu i dytë i futbollit kosovar.
‘89shi edicionin e kaluar nuk arriti ta sigurojë mbetjen në elitë dhe tani synim e ka rikthimin e menjëhershëm.
Të premten në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë fitoi me rezultatin 3:0 kundër Lirisë, në ndeshjen e parë të sezonit.
Vendësit ishin më të mirë në këtë duel, ndërsa para se ta shënonin golin e parë rrezikuan disa herë portën kundërshtare.
Megjithatë, edhe Liria kishte disa gjysmë raste, por të pashfrytëzuara.
Fatmir Rexhaj ishte shënues i golit të parë në këtë duel në minutën e 31-t.
Ai e shfrytëzoi më së miri harkimin e kapitenit Adrian Muja.
Në pjesën e parë nuk pati gola pavarësisht rasteve të mira që u shfaqën.
Pas pushimit, në minutën e 65-t, Trepça ’89 e shënoi edhe golin e dytë. Rilind Nimani me gjuajtje të fortë me kokë, mposhti për herën e dytë në ndeshje portierin e prizrenasve Drin Hodaj.
E pas një kundërsulmi të shpejtë, golashënues i golit të tretë ishte Nikson Memaj, që me gjuajtje të fortë e zhagas, vulosi rezultatin final, 3:0.