Paolo Rossi, golashënuesi hero i Italisë nga fushata fituese në Kupë të Botës në vitin 1982 dhe shënuesi i “hat-trickut” kundër Brazilit në një nga ndeshjet më të famshme në historinë e kësaj gare, ka vdekur të enjten në moshën 64-vjeçare. Vdekja e sulmuesit të njohur vjen në kohën kur bota e futbollit është ende në zi për ikonën e Argjentinës, Diego Maradona, i cili vdiq në fund të muajit të kaluar pas një sulmi në zemër.
Kanali televiziv italian “RAI Sport”, ku Rossi kishte punuar si analist, njoftoi të enjten se “Pablito” kishte vdekur nga një “sëmundje e pashërueshme”.
Gruaja e Rossit, Federica Cappelletti, postoi një foto me burrin e saj, në “Instagram”, së bashku me fjalët “per sempre” (përgjithmonë).
“Kurrë nuk do të ketë njeri si ti, unik, i veçantë ...” shkroi Cappelletti më vonë në italisht në “Facebook”.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina, tha se Rossi ishte “i lidhur në mënyrë të jashtëzakonshme me fanellën blu dhe stili i tij i lojës frymëzoi shumë sulmues të brezave të ardhshëm”.
Rossi, që ishte thatanik për një sulmues në kohën e tij, ishte i shpejtë, i shkathët dhe inteligjent. Arriti të fitojë dy tituj kampioni në Serie A, një Kupë Evropiane dhe një Kupë të Italisë me fanellën e Juventusit. Ai do të kujtohet me shumë dashuri për triumfin e Italisë në Botërorin e vitit 1982 të mbajtur në Spanjë, në të cilin realizoi gjashtë gola.
Përzgjedhja e tij në Përfaqësuesen e Italisë erdhi pas një suspendimi dyvjeçar për shkak të një skandali të trukimit të ndeshjeve. Fillimisht ekspertët e kritikuan përfshirjen e Rossit në ekip, duke insistuar se nuk ishte dashur të ftohej për shkak se nuk ishte në formë. Mirëpo, të gjithë ata që e kritikuan mbetën të befasuar kur Rossi shkëlqeu në atë ngjarje. Ata u dorëzuan përballë Rossit kur sulmuesi italian shënoi “hat-trick” për ta mposhtur Brazilin që atëbotë ishte favoriti kryesor për të triumfuar. Fitorja 3:2 e Italisë në atë takim klasik në fazën e dytë të grupeve i rezervoi një vend në gjysmëfinale kundër Polonisë, ku Rossi përsëri bëri dallimin. Ai fundosi polakët me dy gola të shënuar në fitoren 2:0, për t’ia siguruar Italisë kualifikimin në finale kundër Gjermanisë Perëndimore. Rossi më pas shënoi një gol edhe në triumfin e Italisë (3:1), që e fitoi titullin e tretë të kampiones së botës dhe të parin që nga viti 1938. Në fund të botërorit, Rossi fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë, si dhe rrëmbeu edhe “Topin e Artë” si lojtari më i mirë.
Në fakt, paraqitjet e Rossit u vlerësuan si më të mirat individuale në historinë e Kampionatit Botëror. Atij gjithashtu iu dha edhe “Topi i Artë” në vitin 1982 për futbollistin më të mirë të Evropës.
“Një hero i madh ka ikur dhe për Italinë është humbje e madhe”, tha Dino Zoff, portier në ekipin e vitit 1982. “Ne kishim dëgjuar që diçka nuk ishte në rregull, por nuk mendoja se ishte aq serioze. Unë kisha një marrëdhënie të mrekullueshme me të, ai ishte një person fantastik”.
Një shok tjetër i ekipit, Giancarlo Antognoni, tha: “Një pjesë tjetër e historisë së futbollit tim të dashur ka shkuar”.
I lindur në Prato, Toskana, Rossi luajti tërë karrierën e tij në nivel klubesh në Itali. Ai u ndalua për tre vjet në vitin 1980 si pjesë e skandalit famëkeq “Totonero” për trukimin e ndeshjeve, gjë të cilën gjithmonë e mohoi kategorikisht. Suspendimi iu zvogëlua Rossit më vonë në dy vjet, duke e lejuar atë të shkruante historinë në Kupën e Botës dhe të fitonte “shpagimin personal”.
“Nga njëra anë u ndjeva i plotësuar. Thashë me vete, 'e ke arritur'. Kjo më bëri të ndihem mirë pas gjithë asaj që kisha përjetuar”, tha ai në një dokumentar të FIFA-s, në vitin 2018. “Nga ana tjetër, unë isha i zhgënjyer që e gjithë kjo mbaroi. Kupa e Botës kishte mbaruar”.
Ai gjithashtu shënoi tre gola në Kupën e Botës të vitit 1978 në Argjentinë. Me gjithsej nëntë gola, ai mbetet shënuesi më i mirë i Italisë në Kupën e Botës, së bashku me Roberto Baggion dhe Christian Vierin. Rossi u përfshi tek Italia për Botërorin e vitit 1986, por nuk luajti. Ai e mbylli karrierën si futbollist aktiv një vit më vonë te skuadra e Veronës, në moshë relativisht të re – 30-vjeçare.
Italianët u zgjuan të enjten me lavdërimet mediatike për një nga djemtë e futbollit të preferuar të vendit.
Rossi ishte “ai që mundi Brazilin e Zicos, Argjentinën e Maradonës, Poloninë e Boniekut dhe në finale, Gjermaninë e Rummenigges”, shkroi “La Gazzetta dello Sport”.
Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, reagoi në “Twitter” pas lajmit për vdekjen e Rossit: “Në zemrat tona përgjithmonë. Lamtumirë Pablito”.
Reagim pati edhe nga ish-fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë, Juergen Klinsmann.
“I dashur Pablito, ne gjithmonë të kujtojmë ty!”.
Ndërkohë, ish-trajneri i Italisë, Giovanni Trapattoni, 81 vjeç, tha: “Lamtumirë Paolo - lojtarët nuk duhet të largohen kurrë para trajnerëve”.