Sport

Transferimi i Koliçit, fitore për Ballkanin dhe vetë portierin

Gjithsej 17 ndeshje i ka zhvilluar Enea Koliçi deri më tani me fanellën e kampionit të Kosovës në futboll, Ballkanit. Shumë më tepër ndeshje ka luajtur për Gjilanin, prej ku u transferua në verë te Ballkani, e po ashtu te skuadrat e Shqipërisë si Kukësi, Flamurtari i Vlorës dhe Skënderbeu i Korçës.

Por portieri 37-vjeçar suksesin më të madh e ka arritur me Ballkanin.

“Është hera e parë në karrierën time që paraqitem në grupet e një gare evropiane. Kam pasur rastin edhe me ekipe të tjera të luaj në gara kualifikuese, pro asnjëherë në grupe”, ka thënë portieri nga Pogradeci të martën për KOHËN.

Pjesëmarrjen me Ballkanin në grupet e Ligës së Konferencës, Koliçi e vlerëson një nga momentet më të mira të karrierës.

“Jam i lumtur që jam pjesë e ekipit të Ballkanit”, thotë portieri stabil e me përvojë.

Koliçi dha kontributin e tij në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Ndërkohë në dy ndeshjet e para të grupeve të Ligës së Konferencës ka pranuar vetëm një gol. Ballkani e humbi ndeshjen e parë 1:0 nga Viktoria Plzeni, ndërsa arriti fitore të madhe kundër Dinamo Zagrebit në Prishtinë në xhiron e dytë. E mposhti Dinamon me shifrat, 2:0.

Ndeshjen e tretë të Grupit C e ka kundër Astanas së Kazakistanit. Kjo ndeshje do të luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Koliçi pret mbështetje të madhe nga tribunat për ta kaluar me sukses edhe Astanan.

“Fitorja ndaj Dinamos na ka dhënë një besim, por jo besim të tepruar. Të gjithë e dimë që këto ndeshje janë të gjitha të vështira. Nga momenti që ka përfunduar ajo lojë, të cilën e festuam me shumë meritë, të nesërmen nisëm të mendojmë për ndeshjen e radhës. Dinamo i përket tashmë historisë së klubit dhe të shkuarës. E dimë që ndeshje me Astanan nuk do të jetë aspak e lehtë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Tash radhën e ka fusha të flasë. Ne si ekip shpresojmë për suksesin e radhës dhe shpresoj t’ia dalim”, është shprehur Koliçi.

“Fitorja ndaj Dinamo Zagrebit ishte vërtet e bukur. Kemi bërë një lojë shumë të bukur ndaj një kundërshtari me eksperiencë të madhe në këto gara. Asnjëherë nuk e kemi vlerësuar kundërshtarin më shumë se vetja. Ky besoj që është çelësi i suksesit të Ballkanit. Sa herë futemi në fushë bëjmë atë që dimë dhe japim më të mirën ndaj cilido kundërshtar që kemi përballur”.

Koliçi karrierë ka bërë edhe në Greqi, ndërsa ka qenë në stol te Shqipëria për dy ndeshjet kualfiikuese për “Euro 2020”, ndaj Spanjës dhe Italisë.

Në futbollin e Kosovës është prej vitit 2020. Thotë se është pritur ngrohtë.

“Është sezoni im i katërt në Kosovë dhe i pari me Ballkanin. Kam kaluar tri sezone me ekipin e Gjilanit ku kam kaluar shumë mirë dhe kam krijuar shumë miq. Kemi arritur disa objektiva, por për fat të keq nuk kemi fituar asnjë trofe edhe pse personalisht mendoj që e ka merituar ekipi i Gjilanit një trofe. Rrugëtimi im në Kosovë besoj që ka shkuar mirë. Kam bërë paraqitje të mira dhe dy vjet rresht e kam fituar çmimin e portierit të vitit. Është një vlerësim shumë i madh. Karriera e futbollistit pa trofe nuk ka kuptim. Ndaj, kam zgjedhur ekipin e Ballkanit për të vazhduar karrierën, sepse e ka atë potencial dhe kualitet për të fituar çdo trofe. Kemi filluar mirë, jemi kualifikuar për herë të dytë në Ligën e Konferencës dhe për mua është hera e parë. Është diçka shumë e bukur”, ka theksuar Koliçi.

Koliçi thotë se Ballkani ende do të japë emocione për tifozët e tij dhe mbështetësit nga e gjithë Kosova.

“Ballkani është rritur dhe vazhdon të rritet më shumë dhe me hapa të sigurt. Në çdo humbje ose fitore Ballkani mëson diçka nga kjo eksperiencë në Evropë”, thotë Koliçi.

Me të mes shtyllave, porta është “pikë” tjetër e fortë e ekipit suharekas.