Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka bërë goditje të madhe në afatin kalimtar të verës. Suharekasit të mërkurën në mbrëmje kanë prezantuar Enea Koliçin, që vlerësohet si një prej portierëve më të mirë në elitën e futbollit të Kosovës.
Koliçi transferohet te Ballkani nga skuadra e Gjilanit. Gjilanasve, Koliçi i ishte bashkuar në verën e vitit 2020.
“Mirë se erdhe në shtëpinë e madhe të kampionëve, Enea Koliçi”, ka shkruar Ballkani në Facebook. Në këtë pozitë suharekasit kanë reaguar menjëherë, pasi ditë më parë njoftuan për largimin e Stivi Frashërit, që për dy edicione ishte pjesë e ekipit të Ballkanit.