Trajneri Nuno Espirito Santo, pranon se është i shqetësuar për “dëmin” e mundshëm që mund t’i shkaktohet ekipit të tij, nëse yjet e Tottenhamit, Cristian Romero dhe Giovani Lo Celso injorojnë ndalimin e “listës së kuqe” të Premier Leagues për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Argjentinës. Romero dhe Lo Celso do të udhëtojnë në Argjentinë për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror “Katari 2022” kundër Venezuelës, Bolivisë dhe Brazilit javën e ardhshme.
Të katër vendet janë në “listën e kuqe” të Qeverisë Britanike, që do të thotë se lojtarët nuk do të kenë asnjë përjashtim dhe patjetër duhet të futen në karantinë kur të kthehen. Klubet e Premier Leagues votuan javën e kaluar për të mos liruar lojtarët që shkonin në destinacionet e “listës së kuqe”, por një gjë e tillë duket se nuk ka pasur kurrfarë efekti. Skuadra e Aston Villas, konfirmoi të dielën se dyshja e tyre nga Argjentina, portieri Emi Martinez dhe mesfushori Emi Buendia tashmë janë larguar për t’u bashkuar me përfaqësuesen e tyre.
“Aston Villa mund të konfirmojë që Emi Martinez dhe Emi Buendia kanë udhëtuar për t'u bashkuar me përfaqësuesen e Argjentinës me lejen e klubit në përputhje me rregullat e thirrjeve ndërkombëtare të FIFA-s”, thuhej në njoftimin e klubit. “Të dy lojtarët kanë rënë dakord të vihen në dispozicion për dy ndeshjet e para vitale të Argjentinës për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Venezuelës dhe Brazilit, por nuk do të marrin pjesë në ndeshjen e tretë ndërkombëtare kundër Bolivisë”.
Nëse Romero dhe Lo Celso udhëtojnë, atëherë ata do të humbasin të paktën tri ndeshje me Tottenhamin kur të kthehen, ndërsa duhet të karantinohen në një hotel të miratuar nga Qeveria.
Kjo do të ishte një goditje e madhe për trajnerin Nuno, i cili e ka çuar Tottenhamin në krye të Premier Leagues këtë sezon, me tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.
“Është një problem që nuk na prek vetëm ne, por prek të gjitha klubet dhe të gjithë lojtarët e Amerikës së Jugut që luajnë në Premier League. Ne duhet t'i bindemi ligjit të Qeverisë”, tha Nuno pas fitores 1:0 ndaj Watfordit, të dielën. “Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë, por në të njëjtën kohë nuk kemi asnjë lloj ndihme nga FIFA, Qeveria ose Premier League në mbështetje të kësaj situate. Ne e dimë se çfarë do të thotë për të gjithë lojtarët të luajnë për ekipet e tyre kombëtare. Është diçka për të cilën ata janë shumë krenarë, kështu që ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të parashikojmë situatat”.
Nuno tha se te Tottenhami po mundohen t’i bindin lojtarët që të mos udhëtojnë, mirëpo pranoi se nuk do të jetë aspak lehtë. Qendërmbrojtësi Romero iu bashkua Tottenhamit këtë verë nga skuadra e Atalantas dhe është njëri prej lojtarëve kyçë të trajnerit Nuno. “Ne po përpiqemi të kujdesemi për atë situatë. Duke u përpjekur të parashikojmë dëmin. Ne si klub po punojmë për këtë. Unë ndihem njësoj si trajnerët e tjerë që e kanë këtë problem dhe nuk kanë mundur ta zgjidhin. Ne nuk mund t’i ndalojmë ata, por ne përpiqemi të gjejmë mënyrën më të mirë, kështu që kur të kthehen, ne mund të mos llogaritim në ta. Ka mënyra dhe ne si klub po përpiqemi të ofrojmë mbështetje për lojtarët tanë”.