Një foto e shkëputur nga një incizim i televizionit “Yle” e stërvitjes së klubit elitar të Finlandës, Lahti, ka tërhequr vëmendje të madhe në shtetin e Skandinavisë.
Në fotografinë e publikuar nga disa mediume të Finlandës shihet se në gjysmë të fushës ishin gjithsej pesëmbëdhjetë persona - lojtarë e trajnerë - gjë që është në kundërshtim me masat e vendosura nga shteti i Finlandës për luftimin e pandemisë COVID-19.
Trajner i parë është kosovari Ilir Zeneli, derisa pjesë e ekipit finlandez janë edhe Valdrin Rashica dhe Altin Zeqiri, shkruan KOHA.
Trajneri Zeneli insiston se nuk janë thyer masat e vendosura nga shteti finlandez për parandalim të përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit. Ai ka thënë se kanë stërvitur ashtu siç parashihen në masat e vendosura për mbajtjen e distancës sociale, e që janë puna në grupe të vogla.
“Ne e kemi në dispozicion tërë fushën dhe lojtarët i kemi ndarë në grupe. Disa punojnë në fushë e disa stërviten jashtë saj. Në atë moment është shkëputur vetëm një pamje, sepse po të shikohet incizimi tregon qartë se ata anash janë duke vrapuar, kurse ky grupi në fushë ruan distancën sociale. Pra, nuk kanë kontakt me njëri-tjetrin. Distanca i një lojtari me tjetrin është më shumë se dy metra. Por, disa media të caktuara kanë dashur të bëjnë bujë dhe të marrin vëmendje. Është sqaruar gjithçka dhe ne vazhdojmë punën tonë përgatitore”, ka thënë Zeneli.
Zeneli te Lahti është emëruar si trajner në janar të këtij viti. Por, ai në Finlandë si trajner punon që nga viti 2007. Me Lahtin ka kontratë deri në vitin 2022 dhe vlerëson se është një hap dhe një mundësi e madhe për karrierën e tij.
“Ka dy javë që kemi filluar me përgatitje, por gjithnjë duke ruajtur distancën. Puna bëhet në grupe të vogla. Në Finlandë janë masat më të rrepta se në Suedi dhe nuk lejohet të qëndrojnë më shumë se dhjetë persona. Por, niveli i kulturës këtu është i lartë dhe respektohen vendimet e dala nga Qeveria”, është shprehur Zeneli.
Kampionati në Finlandë është dashur të fillojë gjatë këtij muaji, por për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit është shtyrë për një afat të pacaktuar. Por, Zeneli pret që kampionati i ri në Finlandë të nisë në muajin korrik.