Sport

Ilir Zeneli po bën emër si trajner në Finlandë

Ilir Zeneli pranon se karriera e tij si futbollist “lë për të dëshiruar”. Thotë se ka qenë një mesfushor i ngadalshëm dhe pa ndonjë aftësi të madhe. I ka varur në gozhdë këpucët e futbollit ende pa e nisur mirë karrierën.

Por, ndryshe thotë për karrierën si trajner, të nisur në vitin 2007 në Finlandë. Zeneli është ndër trajnerët e paktë shqiptarë që drejton një skuadër që garon në ndonjë ligë elitare, nëse jo i vetmi në vendet evropiane me futboll të zhvilluar. Ai drejton Lahtin, që aktualisht është në vendin e shtatë në kampionatin e Finlandës.

Trajneri nga Mitrovica me skuadrën finlandeze ka kontratë deri në vitin 2021. Nga Kosova është shpërngulur në Finlandë me familje, në vitin 1992.

Në Finlandë luajnë shumë futbollistë nga Kosova. Madje disa me sukses shumë të madh. Përparim Hetemaj, Shefki Kuqi e disa të tjerë kanë lënë gjurmë në përfaqësuesen finlandeze. Zeneli ndërkohë synon suksese si trajner.

“Si lojtar nuk kam pasur karrierë, futbollin e kam pasur pasion, por më shumë jam marrë me sporte luftarake. Si mesfushor kam qenë i ngadaltë dhe e kam ndërprerë si 18 apo 19-vjeçar karrierën”, thotë Zeneli.

Zeneli 36-vjeçar me zejen e trajnerit është marrë që nga viti 2007, fillimisht te klubi pak i njohur në Finlandë, Esbo Bollklubb. Aty thotë se ka luajtur pak edhe si lojtar, por më shumë si trajner.