Prishtinë, 31 dhjetor – Erfan Zeneli ka fituar gjithçka që mund të fitohet në Finlandë, shtetin ku është zhvilluar si futbollist. Ka fituar pesë tituj të kampionit, katër kupa dhe një kupë të ligës. Ai insiston se ka dhënë mjaft për futbollin finlandez, derisa shton se i ka ardhur koha që ta japë kontributin e tij edhe në Kosovë, vendin e lindjes. Nuk e përjashton mundësinë t’i bashkohet ndonjë skuadre kosovare qysh prej janarit.
Në fakt, kishte raportime se interesimi i klubeve të Kosovës për Zenelin 34-vjeçar, nuk mungoi gjatë verës dhe nuk po mendon as tani. Mirëpo, para fillimit të këtij edicioni, Zeneli vendosi të mbetet në Finlandë dhe iu bashkua ekipit Kaajani si futbollist i lirë. Tani, Zeneli është futbollist i lirë pas kontrata me Kaajanin i ka skaduar muajin e shkuar. Për këtë skuadër që garon në Divizionin e Dytë, shënoi tre gola e asistoi po aq herë në 13 ndeshje të luajtura.
Zeneli pranon se ka marrë oferta nga disa klube në Kosovë, emrat e të cilave ka refuzuar t’i zbulojë. Por, ish-futbollisti i përfaqësueses së Finlandës pranon se dëshira e tij është të kthehet në Kosovë për trofe.
Sulmuesi nga Vushtrria beson se edhe në Kosovë mund të fitojë trofe ashtu sikurse në Finlandë. Ai thotë se ka çka t’i ofrojë futbollit kosovar, të cilin e përcjellë.
“Ka mundësi që vitin tjetër të jem pjesë e futbollit të Kosovës. Në fakt, mundësia është reale, por mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat. Ta shoh se ku do ta kem fatin të luaj, në Kosovë apo diku tjetër edhe pse do të dëshiroja të vij në Kosovë. Unë jam i Kosovës dhe Kosova është shtëpia ime”, ka thënë Zeneli për KOHËN.
“Oferta kam derisa jam në bisedime edhe me disa ekipe të Kosovës. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat në janar. Unë jam i gatshëm për ta vazhduar karrierën, kurse në Kosovë mendoj se kisha mundur të luaj edhe për disa vite të mira. Jam i hapur për çdo mundësi dhe nëse oferta është bindëse, atëherë me dëshirën më të madhe do të bëhesha pjesë e kampionatit të Kosovës”.
Ai ngul këmbë se dëshirën të paraqitet në futbollin kosovar e ka prej kohësh. Por, shton se tash është koha e duhur. Zeneli ka lindur në Vushtrri, por familja e tij ka migruar herët në Finlandë, ku edhe e ka nisur karrierën që kulmin e pati me ndeshjet te përfaqësuesja e këtij shteti. Për Finlandën, nga viti 2013, ka luajtur gjashtë ndeshje. Madje, edhe kualifikuese për Botërorin e vitit 2014.
Zeneli karrierën si futbollist profesionist e nisi te skuadra e madhe nga Finlanda, HJK Helsinki në vitin 2013 dhe me këtë ekip ka fituar hiç më pak se dhjetë trofe, përfshirë këtu pesë tituj kampioni. Në futbollin finlandez, Zeneli ka luajtur edhe te skuadrat e tjera, si Klubi 04, Inter Turku, SJK e Rops, ndërsa ka qenë pjesë edhe e klubit nga Kazakistani, Shakhter Karagandy e atij nga Izraeli, Maccabi Petah Tikva.
“Natyrisht, që jam i kënaqur me karrierën time ku pjesën më të madhe e kam kaluar në Finlandë dhe nuk më kanë munguar sukseset. Kështu që, pas trofeve në Finlandë do të doja të fitoj trofe edhe në Kosovë”, u shpreh Zeneli.
Zeneli për dy vjet (2006-2008) ka luajtur për U-21 të Finlandës, ku ka shënuar dy gola në dhjetë paraqitje.