Sivasspori do të jetë një prej skuadrave me të cilat Ballkani do të ballafaqohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Trajneri i skuadrës turke, Riza Çalimbay, megjithatë, është shprehur i matur në deklaratat e tij pas shortit të tërhequr të premten gjatë ditës në Stamboll.
Ai ka thënë se nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar, pavarësisht se prej nga cili shtet vjen.
Por, shtoi se nëse ekipi nuk përballet me lëndime apo mungesa, do ta kryesojë Grupin G, ku janë Ballkani, Sivasspori, Slavia Praga dhe Cluji.
“Nuk është e drejtë të komentohet pa i parë ndeshjet e skuadrave. Do t’i shohim ndeshjet e ekipeve kundërshtare që do t’i kenë në ligë. Do të mundohemi t’i shohim drejtpërdrejtë kur të kemi kohë. Por, do t’i shohim edhe lojtarët tonë. Të gjitha skuadrat janë të mira sipas mendimit tim, janë kampionë të shteteve të tyre. Duhet të shohim me shumë kujdes. Nuk është e drejtë që t’ua shohim emrat dhe të themi se ky vend është i lehtë e ky tjetri i vështirë. Së pari duhet të shohim. Duhet ta dimë se si kanë arritur deri këtu. Do të jemi më të qartë pasi ta kemi bërë analizën. Gjëja më e rëndësishme është se jemi këtu”, ka thënë Çalimbay për faqen zyrtare të klubit të shtunën.
“Duhet t’i nisim ndeshjet në mënyrë të mirë. Nëse dëshirojmë të jemi të parët në grup, duhet t’i përfundojmë me rezultat pozitiv ndeshjet të cilat i luajmë në shtëpi. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Besoj se do të jemi të parët në grup. Nëse nuk do të përballemi me ndonjë fat të keq apo lëndim, ne kalojmë tutje. Do të jetë pak e vështirë të luajmë edhe në ligë edhe në Evropë, sepse nuk mund të stërvitesh si dëshiron. Vazhdimisht duhet të shikosh lojë. Do ta bëjmë sërish siç kemi bërë më parë, por kësaj radhe do të jemi edhe më të mirë”, ka theksuar trajneri i skuadrës turke.
Sivasspori në Turqi e ka vetëm një trofe të madh të fituar.
Edhe
Sivasspori në “Fadil Vokrri” kërkon vetëm fitoren
E fitoi Kupën e Turqisë në edicionin 2021/22, ndërsa ishte nënkampion i elitës së futbollit të Turqisë në sezonin 2008/09.
Ndeshjen e parë ndaj Ballkanit, Sivasspori e luan më 6 tetor në shtëpi.
Udhëton në stadiumin “Fadil Vokrri” më 13 tetor.