Sport

Trajneri i Shkëndijës shpreson ta befasojë Milanin

Shkëndija do të përballet me kundërshtarin më të fortë të mundshëm në fazën e “play-offit” në Ligën e Evropës, Milanin, dhe trajneri i klubit tetovar kërkon të bëjë befasinë.

Qatip Osmani për faqen zyrtare të klubit ka vlerësuar lartë gjigantin italian, për të cilin thotë se ekipi i tij do të përgatitet maksimalisht, transmeton Koha.net.

“Për kundërshtarin që na ka ra nuk ka nevojë për shumë fjalë, se sa i fortë është ai. Vet tradita e tij flet, edhe pse në kohët e fundit nuk janë në nivelin më të lartë të futbollit, pra janë në ndërtimin e ekipit, por ky është kundërshtari më i fortë që kemi mundur ta kemi. Ne duhet të përgatitemi sa më mirë dhe të jemi sa më të gatshëm të presim Milanin, dhe prezantimi jonë të jetë në një nivel të duhur. Në futboll befasitë ndodhin, kështu që e përsëris se ne duhet të përgatitemi sa më mirë për Milanin”, është shprehur Osmani.

Osmani më tutje ka thënë se nuk duhet të dorëzohen para kohe, dhe do të mundohen të prezantohen sa më mirë.

“Meritat më të mëdha që kemi ardhur deri këtu janë të lojtarëve, pasi ishin ata që na mundësuan këtë lojë me Milanin. Milani është Milan, ne nuk duhet të dorëzohemi para kohe, dhe do të mundohemi të bëjmë prezantim sa më të mirë”, ka thënë ai.

Ndeshjen e parë Shkëndija e luan si vendas më 17 gusht, kurse ajo e kthimit zhvillohet në San Siro më 24 gusht.