Sport

Trajneri i Rubin Kazanit lavdëron Dakun

Sulmuesi Mirlind Daku ka debutuar me skuadrën ruse Rubin Kazan, pas transferimit nga Osijeku i Kroacisë.

Daku të mërkurën luajti në duelin përgatitor kundër Krylya Sovetov, skuadrës tjetër ruse.

Dhe ka marrë lëvdata nga trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov. Ai megjithatë ka theksuar se Daku duhet ende të punojë në aspektin fizik për shkak se vetëm sa është inkuadruar në skuadër.

“Ai vetëm sa ka arritur, nuk e di ende punën tonë, është vetëm dita e tij e dytë. Ai ka pasur dy seanca stërvitore. E kemi planifikuar menjëherë që ai të luajë vetëm në pjesën e dytë. Pas ndeshjes ai ende pati vrapime pasi duhet të kthehet në formën më të mirë fizike pasi ka arritur me vonesë”, ka thënë fillimisht trajneri Rakhimov, kur është pyetur për Dakun pas ndeshjes.

“Ndoshta e keni parë ndeshjen. Është shumë i lëvizshëm. Nëse hapet dhe ka hapësirë, me shpejtësinë që ka mund të depërtojë. Ka koordinim të mirë, di si të ruajë topin dhe luan me të tjerët. Nuk do të thotë kjo se ai luan me rrjedhshmëri, pa gabime. Të gjithë bëjnë gabime. Por e rëndësishme është që ai të futet në përbërje me të tjerët dhe kështu merr formën e duhur”, është shprehur trajneri i Rubin Kazanit.