Drita e Gjilanit edhe njëherë nuk është shpërblyer për ndeshje të mirë në kupa evropiane. Lojtarët e skuadrës gjilanase kanë luftuar me të gjitha forcat, nga fillimi deri në fund, me lojtarët e ekipit të madh çek, Viktoria Plzen.
Por të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, festa në fund u takoi lojtarëve të Plzenit. Pas disa episodeve jo shumë të zakonshme, Drita pësoi 2:1 dhe u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Goli vendimtar u shënuan në minutën e 111-të nga penalltia. Në Plzen, ndeshja kishte përfunduar pa gola.
Plzeni vjet luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, por vuajti shumë për ta eliminuar Dritën në “Fadil Vokrri”.
“Me gjasë nuk kam provuar më parë ndeshje si skjo. E kemi ditur në çka po futemi. Ishim të gatshëm për këtë pasi e kemi studiuar kundërshtarin. I kemi parë ndeshjet e Dritës nga edicioni i kaluar në këtë stadium dhe e kemi ditur se do të jetë ferr”, ka thënë trajneri i Plzenit, Miroslav Koubek.
Ai ka theksuar se kualifikimi është dhuratë që lojtarët ia kanë bërë vetes.
Koubek ka pranuar se atmosfera në stadium ka bërë të veten. Drita ka pasur përkrahje të zjarrtë nga tribunat. Ka pasur edhe presion ndaj Plzenit natyrisht.
“Është pritur, kështu është në Ballkan. Tifozëria është e zhurmshme. Por kjo është mirë, nuk është gjë e keqe”, ka shtuar trajneri me përvojë i Plzenit.
Mediat çeke kanë shkruar për terrenin e vështirë në “Fadil Vokrri” dhe për dy ndërprerjet në pjesën e dytë për shkak të ndaljes së njërit prej reflektorëve. Kjo edhe solli vazhdimin e lojës për më shumë se 20 minuta.
“Derisa ndeshja e parë është luajtur në fushën e mirë në Plzen, stadiumi nacional në Prishtinë ka pritur ekipet në gjendje krejtësisht tjetër. Lojtarët janë ankuar se në fisa pjesë të fushës topi ka lëvizur me vështirësi. Në pjesë të tjera nuk ka pasur bari fare. Gjendja e fushës ka ndikuar shumë në atë që ndodhi në ndeshje”, ka komentuar mediumi çek “iSport”.
Plzeni ka avancuar tutje, ndërsa Drita është eliminuar edhe një herë përkundër paraqitjes së mirë. Por mori vlerësimet e të gjithëve për paraqitjen.