Trabzonspori e ka fituar ndeshjen e parë emocionale, që ishte e para që u zhvillua në Turqi pas tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend më 6 shkurt. Trabzonspori fitoi ndaj Baselit me rezultatin 1:0, ndërsa tifozët e skuadrës turke u kujdesën për një koreografi shumë emocionale.
“Ne do të jemi të bashkuar, ne do t’i shërojmë plagët tona”, kanë shkruar tifozët e skuadrës turke, derisa pjesë e koreografisë ishin edhe flamujt e shteteve që po ndihmojnë Turqinë në këto momente të vështira.
Trabzonspori të enjten mbrëma fitoi me rezultatin 1:0 përballë skuadrës zvicerane, me golin e shënuar nga Jens Stryger Larsen në minutën e 65-të. Ky ishte ballafaqimi i parë i 1/16 së finales së Ligës së Konferencës.
Taulant Xhaka e kompletoi ndeshjen te Baseli, ndërsa Andi Zeqiri luajti deri në minutën e 81-të. Enis Bardhi ishte në bankën rezervë te skuadra turke. Ndeshjen e parë të kësaj faze të garës e fitoi edhe Fiorentina në udhëtim te Braga, 4:0, ndërsa Qarabagu fitoi në shtëpi kundër Gentit. Bodo/Glimt e Lech Poznan luajtën pa gola.