Sport

Tovërlani thotë se Prishtina duhet ta paguajë për t’u treguar ku i kanë problemet

Ish-trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, ka thënë se kryesia e këtij klubi duhet që ta paguajë nëse dëshiron që t’ua tregojë problemet që kanë lënë këtë klub qe gjashtë sezone pa titull të kampionit në Kosovë.

Në Sportin Total në KTV, ai ka thënë se kryesia e klubit duhet të analizojë vendimet që ka marrë në këtë periudhë.

“Ndërrimi i shumë trajnerëve, i shumë futbollistëve, pos këtyre dy vjetëve të fundit kur erdhi trajneri i trofeshëm nga Shqipëria, por që nuk i solli as ai. Duhet të bisedojnë mes vete, të shohin ku janë. Duhet që kryesia të mblidhet sepse nuk është klub vetëm i atyre që janë sot për sot aksionarë. Duhet të analizojnë vendimet. Duhet të analizojnë çka kanë bë e çka duhet të bëjnë. Këtë vit i kishin të gjitha kushtet sepse luajtën në stadiumin e tyre. S’dua të jap analizë të hollësishme për ta sepse që duan duhet të më paguajnë”, ka thënë Tovërlani.

Sipas Tovërlani, është mirë që kanë ardhur në Kosovë trajnerë nga Shqipëria, por ka thënë se në Ligën e Shqipërisë nuk ka parë futboll më të mirë se tash në Kosovë. Ka thënë se atje shumë lojë janë të shitura.