Francesco Totti është përfshirë në Hollin e Famës te klubi i Romës.
Nën kushte të jashtëzakonshme, një komitet i përkrahësve dhe disa grupe të tjera kanë vendosur për t’i dhënë ish-kapitenit legjendar këtë nder.
Pas paraqitjes së 786-të të Tottit dje, që njëkohësisht ishte e fundit në karrierë, ai u bë anëtari i 28-të i përfshirë në Hollin e Famës.
“Kjo është mënyra si e njohim kohën e Francescos te Roma dhe kontributin e tij brenda dhe jashtë fushës që nga viti 1989”, ka thënë presidenti James Pallota. “Ky është nderim për një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave”.
Totti është futbollisti i vetëm që përfshihet në murin e famës nga viti 2017.
“Jam thellësisht i nderuar që marr këtë mirënjohje dhe në mënyrën që më është dhuruar. Për të qenë në mesin e idhujve të mi është privilegj”, ka thënë Totti për faqen zyrtare të klubit.