Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Torres i pafat, del pozitiv në ditën kur u prezantua te Barcelona

Barcelonë, 3 janar – Vetëm pak orë pas prezantimit te Barcelona, sulmuesi i krahut, spanjolli Ferran Torres, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Në të vërtetë të hënën mbrëma Barcelona nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se Torres së bashku me mesfushorin Pedri kanë rezultuar pozitiv pas testeve të bëra dhe menjëherë janë izoluar në shtëpitë e tyre. Me Torresin dhe Pedrin numri i futbollistëve të infektuar në klub është rritur dukshëm.

Torres, i cili u transferua te Barcelona nga Manchester City për 55 milionë euro, u prezantua në stadiumin “Camp Nou” përkrah presidentit Joan Laporta dhe një numri tifozësh që ishin mbledhur në tribuna. Prezantimi i Torresit u bë para stërvitjes së Barcelonës, e cila ishte e hapur. Megjithatë, drejtori i Barcelonës, Mateu Alemany, tha se Torresi ende nuk mund të regjistrohet. Alemany pranoi se klubi e ka ditur se nuk mund ta regjistrojë Torresin përpara se ta transferonte bazuar në “termin e pagave”. Ai tha se klubi po punon për të bërë disa lëvizje, në mënyrë që ta lirojë vendin për regjistrimin e Torresit.

“Edhe pse ende nuk e kemi regjistruar, ne tashmë po bëjmë disa lëvizje në disa zona të ndryshme. Besoj se shumë shpejt do të jemi në gjendje ta regjistrojmë Torresin dhe ai do të jetë në gjendje të jetë sa më shpejt nën urdhrat e trajnerit Xavi”, është shprehur Alemany.

Torres nuk dukej fare i shqetësuar me faktin se ende nuk është regjistruar te Barcelona. Ai ka thënë se është shumë i qetë në këtë aspekt për shkak se klubi po bën të pamundurën për ta regjistruar. Në prezantimin e tij, Torres ka shtuar se është kthyer në Spanjë si lojtar më i mirë pasi është stërvitur nga Pep Guardiola te Manchester City, ekip të cilit iu bashkua në verën e vitit 2020 nga Valencia.

Me fanellën e Cityt ai ka shënuar 16 gola në 43 ndeshje në të gjitha garat, por kurrë nuk ka qenë i rregullt në përbërjen e parë për shkak të opsioneve të shumta që i kishte Guardiola në repartin e sulmit. Te City, Torres ka luajtur si sulmues krahu, por edhe si qendërsulmues, role që shtoi se nuk i ka problem t’i luajë te Barcelona nëse ia kërkon trajneri Xavi Hernandez.

Xavi ishte ai që insistoi në transferimin e Torresit, i cili është përforcimi i parë i Barcelonës në afatin kalimtar të janarit.

Edhe Barça mund ta kthejë Torresin te City Sport Barça mund ta kthejë Torresin te City

“Unë u largova nga City për t’u kthyer në La Liga. Në të vërtetë ideja ime ka qenë të rikthehem një ditë në La Liga, por nuk e kam menduar se do të ndodhë kaq shpejt. Mirëpo kur me kontaktoi Barcelona, atëherë nuk hezitova për asnjë moment”, ka thënë Torres. “Jam lojtar ambicioz dhe më pëlqejnë sfidat. Dua ta ndihmoj Barcelonën të kthehet aty ku e ka vendin, në majën e futbollit botëror”.

Torres nuk ka luajtur prej muajit tetor për shkak të lëndimit që e pësoi derisa ishte në grumbullim me Përfaqësuesen e Spanjës, ndërsa shkaku i koronavirusit nuk do të jetë në gjendje të stërvitet me Barcelonën për një periudhë të shkurtër. Infektimi me koronavirus dhe mosregjistrimi kanë zbehur dukshëm gjasat që Torres të jetë në dispozicion të trajnerit Xavi për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, që luhet javën e ardhshme. Në gjysmëfinale të kësaj gare, Barcelona do të përballet me Real Madridin, duel që do të zhvillohet më 12 janar.

Në lidhje me këtë çështje te Barcelona kanë paralajmëruar se të martën paradite trajneri Xavi do ta mbajë një konferencë për shtyp. Torres ka firmosur kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2026 dhe ka një klauzolë lirimi në vlerë prej një miliard eurosh.