Klubet evropiane që kërkojnë marrëveshje të minutës së fundit në afatin kalimtar të janarit mund të gjejnë disa yje të ardhshëm në mesin e talenteve aktual të futbollit në Brazil.
Fokusi te lojtarët brazilianë është gjithmonë i madh gjatë periudhave të transferimeve. Në fakt fokusi u rrit vetëm pas nënshkrimit të Real Madridit me sensacionin adoleshent Endrick në një marrëveshje që raportohet se vlen rreth 60 milionë euro.
Krahas Endrickut janë edhe disa talente që tashmë kanë shpërthyer në Brazil dhe kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha të Evropës. Ata pritet që para mbylljes së afatit kalimtar të janarit të sigurojnë kontrata të mira në Evropë. Më poshtë paraqesim disa prej tyre.
Guilherme Biro
18-vjeçari filloi si mbrojtës i krahut të majtë te Corinthiansi, por paraqitjet e tij më të mira kanë bërë që Guilherme Biro të zhvendoset në mesfushë. Ai mbuloi këtë pozitë si për akademinë e klubit ashtu edhe për ekipin U20 të Brazilit, i cili aktualisht po luan në kampionatin e Amerikës së Jugut në Kolumbi. Modeli i flokëve të Biros, i ngjashëm me atë të kolumbianit legjendar Carlos Valderrama, është pothuajse po aq tërheqës sa aftësia e tij me topin dhe vrapimet në fushë. Ai luajti vetëm dy ndeshje për ekipin e parë të Corinthiansit në vitin 2022, por pritet të marrë një rol më të madh këtë vit. Biro ka qenë i lidhur me një kalim të mundshëm kohët e fundit te Sevilla dhe Porto, me Corinthiansin që i ka vendosur një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh.
Matheus França
Sulmuesi 18-vjeçar i Flamengos pritej të luante në kampionatin U20 të Amerikës së Jugut, por klubi i tij donte ta mbante në shtëpi. Newcastle Unitedi raportohet se ka bërë tri oferta për sulmuesin që luan me këmbën e djathtë. Të gjitha ofertat u refuzuan nga klubi i Rio de Janeiros.
França ka luajtur 29 ndeshje për Flamengon dhe ka shënuar shtatë gola. França mund të gjuajë nga distanca, të driblojë dhe është një nuhatës i mirë i golit para portës kundërshtare. Ai mund të luftojë për minutazhë këtë vit te kampioni në fuqi i Copa Libertadores, i cili në radhët e veta ka disa sulmues cilësorë.
Jeffinho
Sulmuesi 23-vjeçar i Botafogos ishte një nga lojtarët kryesorë të skuadrës në edicionin e fundit të kampionatit brazilian. Ai shënoi pesë gola dhe bëri shtatë asistime në 42 ndeshje për klubin nga Rio de Zhaneiros.
Jeffinho është një driblues i aftë, që luan në krahun e majtë. Trajneri Luis Castro tha në disa intervista se dëshiron ta mbajë sulmuesin këtë vit, por klubi pret ta shesë atë për rreth 10 milionë euro. Klubi ukrainas Shakhtar Donetsk raportohet se ka bërë një ofertë më të vogël kohët e fundit, e cila u refuzua.
Luan Candido
Mbrojtësi i majtë i Red Bull Bragantinos, i cili mbush 22 vjet më 1 shkurt, pothuajse u fut në skuadrën e Brazilit në Kupën e Botës “Katari 2022” falë mbrojtjes së tij të fortë, qëndrueshmërisë dhe krosimeve të sakta.
Ai luajti në Gjermani në fillim të karrierës, por paraqitjet më të mira kanë ardhur për klubin brazilian. Vitin e kaluar Candido shënoi 13 gola për ekipin në 50 ndeshje. Mbrojtësi i majtë luftoi me ndëshkime gjatë gjithë vitit 2022 dhe tha në intervista se dëshiron të përmirësojë “rekordin” e tij disiplinor.
Deivid
Sulmuesi 17-vjeçar i Santosit dëshiron të shkojë gjurmëve të Neymarit, një prej idhujve të tij. Deividi nuk ka bërë ende debutimin profesional, por tashmë ka tërhequr aq shumë vëmendje me ndeshjet në kategorinë e të rinjve saqë klubi ka vendosur tarifën e transferimit në 18 milionë euro.
Adoleshenti thatanik mund të luajë në të djathtë në sulm dhe gjithashtu si sulmues i vetëm. Vitin e kaluar Deivid ishte golashënuesi më i mirë në kampionatin U17 të shtetit Sao Paulo me 19 gola dhe përfundoi i dyti në kampionatin brazilian U17 me 10 gola të shënuar.