Vetëm dy ditë pasi iu bashkua Prishtinës në stërvitje, Mikalie Tmushiq do të debutojë kundër ish-skuadrës, Bashkimi, në xhiron e 11-të të Superligës.
Ndeshja luhet nesër prej 19:00 në Prizren. Prishtina është lidere pa humbje me 18 pikë dhe një ndeshje më pak se Bashkimi që ka tubuar 15 pikë pas dhjetë ndeshjeve.
Tmushiq para fillimit të këtij edicioni i është bashkuar Prishtinës se bashku me Altin Morinën nga Bashkimi. Tmushiq e Morina ishin ndër më meritorët që Bashkimi edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit, të vetmin në histori.
Tmushiq për arsye personale nuk ka mundur t’i bashkohet Prishtinës deri më tani. Ai do të debutojë ndaj ish-ekipit të tij dhe për të do të jetë ndeshje e veçantë.
“Natyrisht, pres të fitojmë edhe pse nuk do të jetë lehtë, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë me fitore. Personalisht, pres ta ndihmoj sa më shume ekipin e Prishtinës dhe të triumfojmë", ka thënë Tmushiq për Kohën Ditore.
Këtë edicion, Bashkimi dhe Prishtina janë takuar dy herë. Në të dyja ka fituar Prishtina.