Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, i është gëzuar suksesit të ekipit të tij, por pranon se titulli i fituar këtë edicion në Superligën e Kosovës ka qenë paksa i pazakontë për shkak të situatës së krijuar me përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Drita të mërkurën u konfirmua kampione e Kosovës një xhiro pa përfunduar edicioni dhe në sezonin e ri do të paraqitet në raundin preliminar të Ligës së Kampionëve. Për Dritën ky është titulli i dytë brenda tri edicioneve, kurse i treti në total. Ndërkohë, për trajnerin Nuhiu, që mori drejtimin e klubit para përfundimit të sezonit 2018/19, është titulli i parë në Kosovë. Nuhiu do të jetë trajner i Dritës deri në verën e vitit 2022, pasi më herët ka vazhduar bashkëpunimin me ekipin nga Gjilani.
“Është ndjenjë fantastike, sepse jemi kampionët pas një gare të vështirë me klube shumë të forta, ku diferencat ishin të vogla. Shto këto edhe pauzën, por në fund ne dolëm të parët dhe jam shumë i lumtur për këtë sukses”, është shprehur Nuhiu të enjten për gazetën. “Edhe kundërshtarët në kanë bërë edhe më të fortë, sepse është dashur çdo ndeshje të fitojmë dhe të japim më të mirën nga vetja. Pra, ata na kanë bërë mirë në këtë garë që nuk ishte aspak e lehtë”.
Në xhiron e fundit të këtij edicioni, që luhet të dielën, Drita do të luajë në udhëtim kundër Ballkanit, ndeshje në të cilën do t’i dorëzohet trofeu. Kështu që ndeshja në Suharekë do të jetë festë për Dritën. Në fakt, edicioni aktual u pezullua për tre muaj më 13 mars kur u paraqitën rastet e para të prekura me COVID-19 dhe rifilloi në fillim të muajit qershor. Vetëm pas rifillimit të garave, Drita është ngjitur në pozitën e parë në tabelë dhe krijoi shkëputjen ndaj ekipeve tjera, përpara se të shpallej kampione. Nuhiu pranon se edhe orari i ngjeshur i ndeshjeve ka ndikuar në lodhjen e ekipit, por që lojtarët nuk janë dorëzuar për asnjë moment në arritjen e objektivit.
“Ekipin e kemi ndërtuar me lojtarë shumë cilësorë dhe patjetër që kemi besuar në titull, por gjithmonë është folur brenda klubit se synimi është titulli i kampionit edhe pse në opinion kemi qenë të rezervuar në këtë aspekt. Këtë e kemi bërë për shkak se kemi dashur të punojmë në qetësi dhe në fund kjo u shpërblye”, shtoi Nuhiu. “Më vjen mirë që është arritur objektivi madhor”.