Largimi i kapitenit Ardian Limani dhe lojtarëve të tjerë që kanë bartur barrë të madhe në edicionet e fundit, Marko Simonovski, Almir Kryeziu, Hamdi Namani dhe Ilir Blakqori janë tregues se te Drita po planifikojnë ndryshime të mëdha për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Trajneri Akis Vavalis paralajmëron edhe disa ndryshime të tjera me synim për të krijuar një ekip të fortë që lufton për titull.
“Mendojmë se kemi qenë të detyruar të bëjmë një rinovim dhe kjo tashmë ka nisur të ndodhë. Sigurisht që do të përpiqemi të jemi më të fortë. Ky është objektivi ynë. Të krijojmë një ekip të fortë që lufton sërish për titull”, ka thënë trajneri grek i Dritës për KOHËN të enjten.
Drita nuk ia doli ta fitojë titullin e kampionit në edicionin 2022/2023. Kishte mundësinë, udhëhoqi gjatë, por në fund Ballkani arriti të shpallet për herë të dytë rresht kampion i Kosovës.
Skuadra gjilanase për herë të fundit kampione e Kosovës u shpall në edicionin 2019/2020. Titullin e ka fituar edhe dy herë të tjera paslufte (2017/2018 dhe 2002/2003). Drita vlerësohet ndër skuadrat më të organizuara dhe më të qëndrueshme financiarisht. Por në tri edicionet e fundit ka dështuar të shpallet kampione. Ka bërë rregullisht ndryshime në përbërje të ekipit, ndërsa së fundi ka ndërhyrë edhe në trajnerë.
Edicionin e kaluar ndërroi tri trajnerë. E nisi me Ardian Nuhiun, që qëndroi gjatë. Pastaj në krye të Dritës erdhi Arsim Thaqi, që dha dorëheqje. Thaqi u zëvendësua nga Vavalis, i cili do ta drejtoj ekipin e Dritës edhe në edicionin e ri.
Vavalis 37-vjeçar, thotë se po bëhen gati për të krijuar ekip kampion.
“Ne vendosëm që duhet të bëjmë disa ndryshime në klub. Dhe kjo është arsyeja pse disa lojtarë nuk do të vazhdojnë në klub. Kështu që siç thash kemi filluar punën për krijimin e një ekipi për edicionin të ri”, ka thënë Vavalis.
Ai ka treguar se pasi të konfirmohen largimet dhe ata që qëndrojnë, do të nisin me përforcime.
“Pas kësaj ne fillojmë të punojmë për transferime të reja. Tashmë po kërkojmë lojtarë me karakteristikat që duam dhe mendoj se edhe nëse kemi më shumë kohë do të gjejmë opsionet më të mira për të forcuar skuadrën”, ka thënë Vavalis.
Drita si nënkampione e Kosovës do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Në garat evropiane krahas Dritës do të marrin pjesë edhe tri skuadra. Të konfirmuara janë kampioni Ballkani dhe Gjilani i vendit të tretë. Gjilani dhe Prishtina janë në finale të Kupës së Kosovës. Nëse Gjilani, që mbylli edicionin në vendin e tretë, fiton trofeun e Kupës, atëherë me automatizëm garën do ta nisë në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencë dhe do t’ia lirojë vendin në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës një skuadre nga kampionati.
Pritet që Dukagjini të jetë pjesëmarrës nga vendi i katërt, pasi Prishtina nuk është licencuar për garat e UEFA-s. Prishtina ka paralajmëruar një tjetër ankesë pas refuzimit për herë të dytë.