Një tifoz që bënte kërkime në internet për lojtarë që ta ndihmonte përmirësimin e Përfaqësueses së El Salvadorit, tashmë është angazhuar si skaut i kësaj përfaqësueseje me orar të plotë.
Hugo Alvarado, 36 vjeç, kaloi mbi një dekadë në kërkim të lojtarëve me të drejtë loje për Përfaqësuesen e vendit të tij, pasi u lodh me bilancin negativ të El Salvadorit në skenën ndërkombëtare. Vendi i Amerikës Qendrore u kualifikua për herë të fundit për Kampionatin Botëror në vitin 1982.
“Kur fillova, unë isha duke përdorur terma kërkimi si 'nëna të futbollistëve salvadoras’. Sa herë që shihja një imazh që i ngjante një djaloshi latin, e hapja dhe shikoja emrin. Ndonjëherë gjeja artikuj ku ata përmendnin se nga ishin prindërit e tyre dhe në raste të tjera i kontaktoja përmes mediave sociale dhe i pyesja”, është shprehur Alvarado. “Një nga gjetjet e mia më të mëdha ishte Steve Purdy, i cili kishte luajtur për Munich 1860 në Gjermani. Nuk ka asgjë salvadorase në atë emër, por unë kisha lexuar disa gjëra për të dhe e kontaktova në Facebook ku filluam të flisnim”.
El Salvadori, i cili filloi kualifikimet e tetorit për Botërorin “Katari 2022” me fitoren 1:0 në shtëpi kundër Panamasë të premten, aktualisht në radhët e veta ka tetë lojtarë që u zbuluan nga Alvarado.
Me elitën e futbollit të El Salvadorit që përmbante vetëm 12 klube, grupi i talenteve dhe struktura mbështetëse u pa si një pengesë për tërheqjen e lojtarëve.
“Infrastruktura në futbollin salvadoras ishte aq e zbehtë sa një futbollist i rritur në një vend tjetër ka mjedise shumë më të mira stërvitore dhe ushqim për të qenë në gjendje të performojë. Kështu që fillova të punoj me mendjen time për ta forcuar ekipin. Nëse do të gjeja lojtarë që u rritën në një sistem tjetër, ata mund të na ndihmonin”, kujton Alvarado. “Shumë njerëz në El Salvador menduan se këta lojtarë nuk ishin të interesuar të luanin për El Salvadorin. Ata kishin jetë më të mirë në SHBA ose Zvicër dhe do të përpiqeshin të luanin për ato ekipe kombëtare ose ndonjë ekip tjetër kombëtar përveç El Salvadorit. Por, kur fola me ta, vura re se ishin të hapur për mundësinë dhe për mua ishte si të fitoja lotarinë”.
Alvarado, i cili emigroi në SHBA kur ishte 12 vjeç dhe tani jeton në Kaliforni, thotë se ka një ndjenjë të madhe krenarie duke i parë futbollistët të veshin fanellën blu të vendit. Sidoqoftë, ai nuk e kishte marrë parasysh se si po kontribuonte në udhëtimin e tyre si lojtarë.
“Për mua ishte vetëm se doja të ndihmoja ekipin kombëtar”, shton ai. “Por, tani disa prej lojtarëve më falënderojnë për punën që e kam bërë duke i kontaktuar. Pasi kanë ardhur tek El Salvadori, kanë pasur mundësinë të luajnë kundër ekipeve më të mëdha. Falë meje, ata janë përballur me Argjentinën e Lionel Messit”.
Alvarado ishte lodhur nga humbjet e shpeshta të El Salvadorit dhe kishte marrë përsipër një detyrë që askush nuk e dinte. Pa u konsultuar me askënd, ai kishte nisur t’i kontaktonte lojtarët në internet.
“Unë u lodha nga humbjet e shpeshta të El Salvadorit dhe nga zhgënjimi fillova të kërkoj futbollistë që kishin prejardhjen tonë. Dëshira ime ishte ta forcoja ekipin sepse nuk mund ta shihja në atë gjendje”, thotë ai. “Tani kur e shoh ekipin se si ka ndryshuar, ndihem krenar sepse kurrë nuk e kam menduar një gjë të tillë”, shprehet Alvarado. “Unë kurrë nuk jam ndalur së kërkuari dhe do të vazhdoj ta bëj këtë punë me krenari të madhe”.
Tani që është angazhuar skaut me orar të plotë i Federatës së Futbollit të El Salvadorit, Alvarado thotë se ndihet edhe më krenar.
“Po më vjen të qaj nga gëzimi. Unë, thjesht, kam bërë punë vullnetare dhe kam dashur t’u japim fund humbjeve të shpeshta. Tani kemi një ekip të mirë, i cili besoj se në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë me prurjet e reja, për të cilat tashmë jam angazhuar”, thotë ai.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara në kualifikimet e CONCACAF-it për Botëror, El Salvadori ka tubuar pesë pikë, duke regjistruar një fitore, një humbje dhe dy barazime.