Nuk do të ishte ideja e të gjithëve për një kauzë të mirë që t’i linin gjithçka që zotëronin një futbollisti multi-milioner. Por, një tifoz i flaktë i futbollit nga Brazili nuk ka mundur të mendonte dikë më të merituar se sa sulmuesin Neymar, për t’ia lënë të gjitha të mirat e kësaj bote që i posedon.
Tifozi anonim ka thënë se përtej dashurisë për përfaqësuesen braziliane dhe për trashëgiminë e futbollit të Brazilit, ai u identifikua me Neymarin, gjë që e bëri atë ta emëronte zyrtarisht sulmuesin e Paris Saint-Germainit në testamentin e tij.
“Më pëlqen Neymar, identifikohem shumë me të. Jam gjithashtu shumë familjar dhe marrëdhënia që Neymar ka me babanë e tij më kujton shumë timen me babanë që ka ndërruar jetë”, ka thënë ai në një intervistë me median lokale Metropoles.
“Unë nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe, për këtë arsye, e pashë vërtet se nuk kam kujt t'i lë gjërat. Nuk do të doja që qeveria apo të afërmit me të cilët nuk shkoj mirë të merrnin gjërat e mia”, ka shtuar ai.
30-vjeçari shtoi se kishte tentuar t'i jepte pasuritë e tij brazilianit më parë, por pa sukses. Testamenti ishte një mënyrë ligjore, sipas tij, për ta bërë këtë dhe dokumenti u nënshkrua nga një zyrë noteriale në Porto Alegre.
Neymar që është pjesë e PSG-së, është një nga sportistët më të paguar në botë, me fitime të vlerësuara prej 85 milionë dollarësh për vitin 2023, sipas Forbes.