Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifozët të frustruar me problemet e biletave në Kupën e Afrikës

Tifozët që shpresojnë të ndjekin ndeshjet në Kupën e Afrikës janë frustruar në përpjekjet e tyre për të marrë bileta, ndërsa ndeshjet janë luajtur në stadiume gjysmë të zbrazëta. Organizatorët e turneut të enjten pranuan problemet e biletave për ndeshjen hapëse, por nuk arritën të adresojnë ndonjë problem të mundshëm që i pengonte tifozët të ndiqnin ndeshjet e tjera deri më tani.

“Megjithëse kishte disa probleme me printimin në ditën e parë të AFCON-it për shkak të blerjeve grupore në minutën e fundit të biletave, sistemi i biletave është përshtatur që atëherë për t'u marrë me kërkesa të tilla”, tha Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) në një deklaratë.

CAF tha se sistemi po “funksionon mirë” me më shumë se 60% të biletave të shitura përmes platformës së saj online ndërkombëtarisht. Komiteti Organizativ i Kupës së Afrikës (COCAN) tha se arsyeja që kishte vende bosh për ndeshjen e Bregut të Fildishtë kundër Guineja-Bissaut në hapjen e turneut në stadiumin “Alassane Ouattara” me kapacitet prej 60,000 ulëseve të shtunën ishte për shkak të ashtuquajturave “ulëse të vdekura”, të cilat përfshijnë vende me dukshmëri të reduktuar ose vende sigurie. Përjashtimi i këtyre vendeve do të linte stadiumin me një kapacitet të përdorshëm prej 50.786 ulëseve. Megjithatë, zyrtari i stadiumit dha një pjesëmarrje prej 36.858 personash për ndeshjen hapëse të turneut. Ishte faturuar si shitur. Kishte më pak se 10.000 tifozë në ndeshjen midis Nigerisë dhe Guinesë Ekuatoriale në të njëjtin stadium të nesërmen. Kishte gjithashtu shumë vende bosh në stadiumin “Felix Houphouet-Boigny” në Abidjan për ndeshjet midis Egjiptit dhe Mozambikut, si dhe Ganës e Kepit të Gjelbër të dielën. Në Yamoussoukro të hënën, tifozët e Kamerunit dhe ata të Guinesë u tërbuan kur nuk mundën të hynin në ndeshjen e ekipeve të tyre, pavarësisht se kishte shumë vende të disponueshme brenda stadiumit.

Mediat lokale raportuan se kryeministri i Bregut të Fildishtë, Robert Beugre Mambe është zotuar se ai do të merrte personalisht përgjegjësinë për këtë problem duke premtuar se “rezultatet do të shihen brenda 48 orëve”.

CAF-i konfirmoi të mërkurën se ishte përgjegjës për shitjet e biletave. Së bashku me Komitetin Organizativ të Kupës së Afrikës, ata inkurajuan tifozët vendas të provojnë një nga 51 pikat e shitjes në Bregun e Fildishtë për të blerë bileta në mënyrë fizike për ndeshjet e këtij turneu. Edicioni i 34-t i Kupës së Afrikës ka nisur më 13 janar dhe do të mbahet deri në 11 shkurt, kur do të zhvillohet finalja e madhe. Në këtë turne po marrin pjesë 24 përfaqësuese të kontinentit afrikan.