Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifozët sulmojnë futbollistët e Legias në autobus

Futbollistët e Legia Varshavës janë sulmuar nga tifozët, të cilët janë futur me dhunë në autobusin e ekipit, ka njoftuar të hënën ekipi nga Polonia.

Futbollistët e Legias po ktheheshin në bazën stërvitore të hënën, një ditë pas humbjes nga Wisla Plocku (1:0) kur u sulmuan.

“Autobusi me lojtarët po kthehej në qendrën stërvitore nën shoqërimin e policisë”, tha Legia. “Pavarësisht këtyre masave, autobusi u ndalua për një kohë të shkurtër dhe më pas një numër njerëzish hynë në të dhe u sollën me agresion ndaj lojtarëve”.

Legia nuk tha nëse ka ndonjë të lënduar, por shtoi se policia e shpërndau grupin e tifozëve të irrituar me rezultatet.

“Klubi po e trajton incidentin shumë seriozisht dhe po merr hapa për ta sqaruar plotësisht atë”, tha Legia, duke shtuar se po rrit sigurinë në ambientet e saj.

Edhe Huliganët polakë sulmohen gjatë largimit nga Tirana Futboll Huliganët polakë sulmohen gjatë largimit nga Tirana

Më herët, portali sportiv “Online Interia” raportoi se futbollistët Rafael Lopes, Luquinhas dhe Mahir Emreli janë rrahur në këtë sulm. Policia e Varshavës shkroi në “Twitter” se një grup njerëzish bllokuan autobusin e ekipit të hynte në qendrën stërvitore në Ksiazenice, por ata u shpërndanë kur mbërritën autoritetet.

Kampionia në fuqi e Polonisë, aktualisht është në pozitën e fundit në tabelë. Pjesë e këtij ekipi është edhe reprezentuesi i Kosovës, Lirim Kastrati.