Ndeshjet në ligat profesionale të futbollit të Gjermanisë janë përcjellë nga protesta kundër Kupës së Botës në Katar, me tifozët rivalë që kanë bashkuar forcat për të dënuar korrupsionin e FIFA-s dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në vendin organizator. Të dielën, në prag të ndeshjes së fundit të Bundesligës para pushimit të zgjatur dymujor, tifozët e Freiburgut mbanin një pankartë të madhe me fjalët, “Bojkoto Katarin”. Pankarta të tjera të mëdha theksonin padrejtësitë e supozuara në vendin organizator, ndërkohë që dukej se pothuajse çdo tifoz në stadiumin me kapacitet 34.700 vende mbante një tabelë individuale që bënte thirrje për bojkot të turneut.
Tifozët e Mainzit gjithashtu bënë thirrje për bojkot gjatë barazimit të ekipit të tyre me Eintracht Frankfurtin. Ishin protestat e fundit pas disa javësh shfaqje publike nëpër stadiume kundër turneut që i është dhënë Katarit në mënyrë të diskutueshme nga FIFA, mes akuzave për blerje votash, në vitin 2010.
“Ishte e gabuar dhe është ende e gabuar”, tha Bernd Beyer i iniciativës “Boycott Katar 2022”. “Tifozët nuk identifikohen me të dhe thonë se nuk duan të kenë të bëjnë asgjë me të. Ata po e kritikojnë në mënyrë aktive”.
Beyer tha se tifozët ishin pjesërisht të nxitur nga zhvillimet në të gjithë futbollin ndërkombëtar, ku paratë po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
“I gjithë futbolli profesionist po bëhet gjithnjë e më komercial. Kjo është diçka me të cilën nuk identifikohesh”, tha Beyer. “Dhe, sigurisht, e njëjta gjë po ndodh tani në Katar. Vendimi është i gabuar, sepse Katari është një vend ku të drejtat e njeriut nuk zbatohen”.
Beyer, një tifoz i Koelnit dhe Borussia Dortmundit, ishte i prirë të theksonte se protestat ishin drejtuar nga grupet e tifozëve dhe nuk ishin koordinuar me iniciativën e tij. Ai tha se tashmë është kontaktuar edhe nga tifozët në Spanjë dhe Francë, të cilët gjithashtu janë kundër këtij turneu. Tifozët e Hertha Berlinit shfaqën një pankartë gjigante “Bojkoto Katarin” gjatë fitores ndaj Koelnit të shtunën, me një tjetër pano që thoshte “Asnjë tifoz i Herthas nuk do ta shikojë Kupën e Botës në Katar”. Edhe tifozët tjerë mbanin shenja bojkoti.
Tifozët e Herthas dhe Bayernit shfaqën pankarta duke thënë se organizatorët duhet të kenë turp për shkak të numrit të lartë të vdekjeve të emigrantëve që lidhen me garën. Tifozët e Augsburgut mbështetën thirrjen për bojkot ndërsa shfaqnin një pankartë përmes logos së Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
“Bëj si federatat, mos shiko. #BoycottQatar22”, thuhej në pankartat e Augsburgut gjatë vizitës në Bochum të shtunën.
Pati protesta të përgjithshme gjatë ndeshjeve të kategorisë së dytë midis Hamburgut e Heidenheimit, dhe Fortuna Duesseldorfit kundër Kaiserslauternit.
“Kushdo që shikon qoftë edhe një ndeshje të Kupës së Botës është bashkëpunëtor në dhjetëra mijëra vdekje!”, shkruante një pankartë e tifozëve të Heidenheimit.
Tifozët e Werder Bremenit thanë të shtunën se numri i vdekjeve është më i lartë se numri i minutave të lojës në turneun me 32 ekipe, të cilin ata e përshkruan si “krimin më të madh të futbollit deri më sot”.
Ndërkohë, tifozët e Borussia Moenchengladbachut shfaqën pankarta që kritikonin “mafien e FIFA-s”.
Ata të Hannoverit bënë thirrje për bojkot gjatë fitores së ekipit të tyre ndaj Duesseldorfit, ndërsa tifozët e Dortmundit shpalosën pankarta të shumta duke kritikuar të drejtat e njeriut të Katarit. Kaiserslauterni dhe Nurnbergu gjithashtu ishin të bashkuar në dënimin e turneut.
Në disa stadiume thirrjet për bojkot të Kupës së Botës u shoqëruan me fletushka që jepnin një përshkrim të situatës së supozuar në Katar dhe arsyet për të mbajtur një qëndrim kundër Botërorit.
“Ka një tregues të qartë se ne nuk duam të shijojmë një Kupë Bote si kjo”, tha Beyer.
Trajneri i Greuther Fuerthit, Alexander Zorniger, nuk është gjithashtu tifoz i turneut.
“Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë ju, gëzuar Kupën e Botës, Kupën e Botës të marrëzisë”, tha Zorniger.