Sport

Tifozët ndalohen nga ndeshja evropiane e futbollit për shkak të frikës së komplotit rus

Një ndeshje evropiane e futbollit në Moldavi do të luhet në një stadium bosh, të enjten, mes shqetësimeve rreth përpjekjeve të supozuara të mbështetura nga Rusia për ta rrëzuar Qeverinë e vendit.

UEFA tha të martën se asnjë tifoz nuk do të lejohet të hyjë në stadium kur Sherifi pret Partizanin e Beogradit në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës. Urdhri për dyer të mbyllura ishte “për shkak të vendimit të autoriteteve në Moldavi”, tha UEFA në një deklaratë.

Ky vendim erdhi një ditë pasi presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, përshkroi një komplot të dyshuar rus kundër Qeverisë së vendit të saj, duke përdorur diversantë të jashtëm. Sandu sugjeroi më tej që qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë, Malit të Zi dhe Serbisë mund të përdoren si pjesë e komplotit, me zyrtarin qeveritar Andrian Keptonar, që sugjeroi në televizion se serbët mund të kenë qenë duke u përpjekur të hyjnë në Moldavi nën maskën e tifozëve të futbollit.

Vendi, i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë, kishte mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore të martën dhe FC Sheriffi konfirmoi se autoritetet moldave kishin urdhëruar që ndeshja të luhej pa tifozë të pranishëm.

“Federata e Futbollit të Moldavisë ka njoftuar FC Sherifin për vendimin e autoriteteve moldave për të zhvilluar ndeshjen e plejofit të Ligës së Konferencës së UEFA-s ndërmjet FC Sheriff dhe Partizanit të Beogradit pa shikues. Në lidhje me këtë, FC Sheriff njofton shikuesit që kanë blerë biletat për ndeshjen se klubi do t'i kthejë paratë e shpenzuara për bileta”, thuhet në njoftimin e Sheriffit.

Moldavia, një ish-republikë sovjetike me rreth 2.6 milionë banorë, ka kërkuar të ndërtojë lidhje më të forta me Bashkimin Evropian që kur fqinji i saj, Ukraina, u pushtua nga Rusia një vit më parë. Serbia është një aleate tradicionale e Rusisë dhe tifozët e Partizanit nga Beogradi pritej të jenë të pranishëm në ndeshjen në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Sherifi është nga Tiraspoli, në rajonin separatist në Transnistria, dhe ndeshjet e tij në garat e UEFA-s tashmë i janë nënshtruar një vendimi politik këtë sezon për shkak të luftës. UEFA i kërkoi Sherifit të luante ndeshjet në shtëpi larg Tiraspolit, i cili është rreth 90 kilometra nga qyteti ukrainas i Odesas.

Rusia hodhi poshtë me zemërim të martën pretendimet e presidentes moldave për një komplot të supozuar nga Moska për të rrëzuar Qeverinë e saj. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, hodhi poshtë pretendimet e presidentes Sandu si “absolutisht të pabaza dhe të pavërtetuara”.