Sport

Tifozët e Slavia Pragës paralajmërojnë ardhjen në Prishtinë

Ndeshja mes Ballkanit dhe skuadrës çeke, Slavia Praga, është shumë e rëndësishme për kualifikimin në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.

Ndeshja luhet pas dhjetë ditësh, më 27 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 21:00. Ballkani pret të përfitojë prej përkrahjes së madhe nga tribunat. Si në ndeshjet e kaluara në Ligën e Konferencës, stadiumi pritet të jetë i mbushur me shikues.

Por përkrahje nga tribunat pritet të ketë edhe skuadra e madhe çeke, Slavia Praga. Tifozët e kësaj skuadre kanë paralajmëruar ardhjen në Prishtinë për ndeshjen thuajse vendimtare. Në Prishtinë planifikojnë të vijnë me aeroplan. Do të vijnë në ditën e lojës dhe do të largohen menjëherë pas saj. Natyrisht, nëse numri i të interesuarve është i mjaftueshëm.

Për herë të parë tifo-grupi “Tribuna Sever” organizon udhëtim me aeroplan për një ndeshje.

“’Tribuna Sever’ organizon lidhje direkte ajrore për herë të parë në histori. Mund të jetë ndeshje vendimtare për avancim në kupat evropiane. Për më tepër dita pas ndeshjes është festë dhe nuk ka nevojë për të marrë një tjetër ditë të lirë. Kapaciteti i aeroplanit është 189 ulëse. Udhëtimi do të bëhet në mëngjesin e 27 tetorit dhe kthimi menjëherë pas ndeshjes. Transporti përfshinë të gjitha transferet për ndeshje dhe kthimin në aeroport në kryeqytetin e Kosovës. Çmimi është 9999 korona (406 euro). Nëse deri më 20 tetor nuk mbushim aeroplanin, udhëtimi anulohet”, ka njoftuar ky tifo-grup që më 27 shtator. Njoftimin e ka përsëritur edhe dy herë prej atëherë.

Të dielën tifozëve u është bërë tjetër thirrje që të paraqiten për udhëtimin në Prishtinë.

“Lojtarët kanë nevojë për përkrahjen tonë kur rezultatet po mungojnë. Ndeshja do të vendosë nëse skuadra do të dimërojë në Evropë dhe ne duhet t’i përkrahim lojtarët në numër sa më të madh”, thuhet në postimin e fundit të “Tribuna Sever”.

Dy xhiro para fundit, Sivasspori turk dhe Cluji rumun udhëheqin në grup me nga shtatë pikë, Slavia e Ballkani i kanë nga katër pikë.

Më 27 tetor është edhe ndeshja Sivasspor – CFR Cluj.

Ndërsa më 3 nëntor janë ndeshjet Slavia Praga – Sivasspor dhe CFR Cluj – Ballkani.

Tifozët e Sparta Pragës nuk shprehin qëndrime publike anti-Kosovë. Ka plot grupe tifozësh në Çeki me qëndrim anti-Kosovë, por në postimet e tifozëve të Sparta Pragës nuk shihet një qasje e tillë.