Sport

Thyhet rekordi për shikueshmëri në një ngjarje të sportisteve

Është thyer rekordi i shikueshmërisë në një ngjarje sportive në konkurrencë të femrave. Në një ndeshje volejbolli në nivel të kolegjeve në SHBA ishin të pranishëm 92.003 shikues, raporton BBC.

Nebraska mposhti Omahan në “Memorial Stadium”, ndërsa kjo përballje theu rekordin e që mbante ndeshja e Ligës së Kampionëve të vitit 2022 mes Barcelonës dhe Wolfsburgut e zhvilluar në “Nou Camp”. Në atë ndeshje ishin të pranishëm 91.648 shikues.

“Është e jashtëzakonshme”, ka thënë volejbollistja Andi Jackson për “ESPN”. “Po mundoheshim të përqendroheshim në lojë, por kishte shumë emocione. Jam shumë e lumtur që isha pjesë e një ngjarje të tillë”.

Trajneri i Nebraskas, John Cook ka thënë për “USA Today”: “Kemi pasur ëndrra të mëdha. Lojtarja Kennedi Orr më tha se, ‘Trajner, sonte është e pamundura e mundur’. Ne ia dolëm”,

Rekordi i kaluar në një ngjarje sportive në konkurrencë të grave në SHBA ishte 90.185. Kaq tifozë kishin përcjellë në Pasadena finalen e Botërorit 1999 të futbollit mes SHBA-së e Kinës.