Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar ankesën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka kërkuar që të shtyjë shkuarjen në burg edhe për një kohë.
Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, Gjykata Themelore ka thënë se i dënuari me burg efektiv, Agim Ademi, nuk është paraqitur për vuajtje të dënimit sot, ashtu siç e kishte kërkuar më parë Gjykata Themelore.
Sipas Themelores, Ademi është ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila do të marrë vendim për kërkesën e të parit të FFK-së.
“Ju njoftojmë se i dënuari A.A. nuk është lajmëruar në vuajtje të dënimit me burg, pasi që i njëjti me datë 12.06.2020 ka bërë kërkesë për shtyrje dhe Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 15.06.2020 ka marrë aktvendim dhe e ka refuzuar kërkesën si të pabazuar. Kundër këtij aktvendimi i dënuari A.A ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës me datë 17.06.2020 dhe lënda aktualisht gjendet në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës Themelore.
KOHA ka marrë edhe një përgjigje nga Gjykata e Apelit e Kosovës, nga e cila kanë thënë se e kanë pranuar ankesën, por nuk ende nuk e kanë trajtuar.
Sipas Apelit, të premten ose më së largu të hënën, do të merret vendimi për rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Fati i Ademit mund të jetë se kërkesa e shumicës së personave që kanë kërkuar të shtyjnë dënimin për më vonë është aprovuar nga Apeli, shkaku i gjendjes së krijuar nga koronavirusi.
Kohavisioni ka provuar të marrë edhe një qëndrim të kryetarit Ademi, i cili nuk u është përgjigjur thirrjeve.
Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burg efektiv për veprën penale, detyrim në tentativë.