Sport

Terziqi: Pezullimi nuk ekziston, jam larguar vetë

Njëri prej hendbollistëve më të mirë në vend, Deniz Terziqi, ka folur për KOHËN pas publikimit të njoftimit nga FHK-ja lidhur me një vendim për pezullimin e tij nga përfaqësuesja e Kosovës. Hendbollisti i Besa Famgas, Terziqi, ka thënë se nuk është pezulluar porse është larguar vetë nga përfaqësuesja.

FHK-ja të hënën njoftoi se Deniz Terziqi është pezulluar nga përfaqësuesja, por beku i majtë ka paraqitur versionin e tij.

“Ky vendim që po përhapet është i pavërtetë. Mua nuk më ka pezulluar asnjë selektor, ndihmëstrajner apo president i Federatës. Unë pas dy ndeshjeve me Greqinë kam takuar selektorin në dhomën e tij në hotel, ku ishim të akomoduar në Greqi. I kam kërkuar pesë minuta për të sqaruar pozitën time në përfaqësuese. E kam pyetur për dy gjëra: pse nuk kam luajtur më shumë minuta se që më janë ofruar dhe pse më ka ftuar në përfaqësuese. Ai më është drejtuar për pyetjen e parë se më ka ndërruar për ta freskuar ekipin e pastaj më kishte harruar për të më inkuadruar në lojë. Është arsye e pakuptimtë nga ana e një selektori që duhet të jetë profesional në punën e tij. Për pyetjen e dytë më është drejtuar: të kam ftuar, sepse ishe opsioni i vetëm në pozitën e bekut të majtë. Unë i jam drejtuar: pasi kam qenë opsioni i vetëm në atë pozitë, prej 120 minutave nuk kam luajtur as 15 minuta. Ai më është përgjigjur se ishte rrjedhojë e lojës. Unë i thashë se këto janë arsye të kota e të paarsyeshme. I thashë që kur të arrijmë në Prishtinë unë nuk jam pjesë e përfaqësueses. Pezullimi nuk ekziston, por jam larguar vetë. Në fund të takimit më ka thënë se është zgjedhja jote largimi dhe i kemi thënë njëri-tjetrit natën e mirë”, ka shkruar Terziqi në një përgjigje për KOHËN.

Ai kishte luajtur pak të dielën ndaj Greqisë, ndërsa përzgjedhësi Bujar Qerimi kishte njoftuar se pezullimi është bërë për arsye disiplinore.

Kosova të mërkurën luan me Turqinë në Prishtinë, ndërsa në fundjavë me Belgjikën në udhëtim. Ndeshjet i takojnë kualifikimeve për Botëror.

“Ndeshja me Turqinë është e rëndësishme ashtu si ndeshjet e deritashme. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e së mërkurës. Për shkak të një lëndimi në ndeshjen me Greqinë na mungon Egzon Gjuka. Shpresojmë që ai të jetë gati për ndeshjen e fundjavës ndaj Belgjikës. Ndërkohë nuk llogaris në Deniz Terziqin. Ai është i pezulluar për sjellje jokorrekte ndaj Kombëtares dhe bashkëlojtarëve. Organet kompetente të Federatës marrin vendime tutje”, ka deklaruar selektori Bujar Qerimi për faqen zyrtare të FHK-së.

Kosova ka humbur për një gol dy takime me Greqinë. Tashmë është me gjasa fare të vogla për të avancuar në kualifikimet për “Botërorin 2023”.