Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ter Stegeni i frustruar me rolin e rezervistit te Gjermania

Foto: Reuters

Portieri i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen, nuk ka mundur të durojë më shumë. Të premten ka shprehur zhgënjimin e tij, meqë vazhdon të jetë rezervë e Manuel Neuerit te Përfaqësuesja e Gjermanisë.

27-vjeçari ka qëndruar në bankën e rezervistëve gjatë ndeshjeve eliminatore për "Euro 2020" që Gjermania i luajti me Holandën dhe Irlandën e Veriut gjatë këtij muaji, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

Ai ka thënë se kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet, pasi është siguruar vazhdimisht nga përzgjedhësi Joachim Loew se do ta ketë rastin për t'u dëshmuar si portieri i parë i Gjermanisë në vitin 2019. Ter Stegen prej vitit 2012 është pjesë e përfaqësueses gjermane, por deri më tash ka regjistruar vetëm 22 paraqitje.

"Nuk është lehtë të gjej një shpjegim për atë që po e përjetoj te Gjermania. Unë ende po provoj gjithçka, por eliminatoret e fundit me Gjermaninë ishin një goditje shumë e fortë për mua. Nuk kam pritur një trajtim të tillë, pasi vazhdimisht jam siguruar se do ta kem rastin për të qenë titullar", ka deklaruar Ter Stegen.

I padiskutueshëm në portën e skuadrës së Barcelonës, Ter Stegen ka pasur vështirësi ta fitojë vendin e titullarit te Gjermania para Manuel Neuerit të Bayernit. Ai ka vetëm një paraqitje me Gjermaninë këtë vit dhe kjo në ndeshjen miqësore ndaj Serbisë të zhvilluar në muajin mars kur u inkuadrua në fillim të pjesëlojës së dytë.

"Nuk po kuptoj asgjë dhe natyrisht që jam i frustruar me këtë situatë", shtoi Ter Stegen

Edhe Ter Stegen fiton titullin dhe bie nga liga në të njëjtin edicion Futboll Ter Stegen fiton titullin dhe bie nga liga në të njëjtin edicion

Loew ka pranuar se Ter Stegen është një portier i mirë dhe e ka përshkruar si të klasit botëror, por ka shtuar se në dy ndeshjet e fundit eliminatore nuk ka dashur të bëjë ndryshime në portë pas humbjes kundër Holandës (4:2), që destabilizoi ekipin.

"Unë kam qenë në Barcelonë dhe kam pasur një bisedë të gjatë me Ter Stegenin, ku i kam premtuar se do ta ketë rastin e tij të jetë titullar gjatë kësaj fushate kualifikuese. Kështu që, ka ende ndeshje deri në fund të këtij viti dhe ai duhet ta presë rastin e tij që besoj do të vijë shumë shpejt", është shprehur Loew.