Në garë me Lituaninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Irlandën dhe Afrikën e Jugut, përfaqësuesja e Kosovës në tenis synon të bëjë befasi në Grupin B të “Billie Jean King Cup 2023”.
e Kosovës marrin pjesë për herë të parë në Grupin 2 të garës kryesore ekipore për teniste. Promovimin nga niveli i fundit, Kosova e arriti vjet kur shënoi fitore ndaj Kenisë dhe Shqipërisë.
Gara për Kosovën nis të hënën, ndërsa përfundon më 15 prill. Do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Përzgjedhësi Osman Reçica pranon se niveli është më i lartë se vitin e kaluar.
“Synojmë të tregojmë paraqitje sa më të mirë që mundemi. Prej 11 shteteve pjesëmarrëse, dy do të kthehen në grupin e tretë dhe dy do të avancojnë. Për ne e rëndësishme është të bëjmë paraqitje sa më të mirë dhe të mos kthehemi në grupin e tretë. Duam të qëndrojmë në këtë grup dhe pse jo të bëjmë befasi për t’u ngjitur”, ka thënë Reçica të dielën për KOHËN.
Ai ka besim në formën që garueset e Kosovës kanë treguar gjatë përgatitjeve. Tenistet kanë zhvilluar përgatitje të përbashkëta në Ulqin.
Përfaqësuesja e Kosovës përbëhet nga Arlinda Rushiti, Adrijana Lekaj, Vesa Gjinaj, Aja Broqi dhe Forta Morina.
“Jam ndarë shumë i kënaqur me përgatitjet e tyre dhe shpresoj të jenë në gjendje shumë të mirë për të filluar mbarë. Për herë të pas disa vjetëve është kthyer tenistja numër një, Arlinda Rushiti, që momentalisht renditet e 450-a në WTA. Po ashtu, kemi vajza të mira si Adriana Lekaj e Vesa Gjinaj që ushtrojnë jashtë Kosovës, si dhe Aja Broqi dhe Forta Morina që zhvillojnë karrierën në Kosovë”, është shprehur Reçica.
Ai është i vetëdijshëm që Kosova tani ka përballë ekipe më cilësore.
“Këtë vit marrim pjesë për herë të parë në grupin e dytë, ekipet janë më të forta sesa vitin e kaluar kur ishim në grupin e tretë. Do të jetë më vështirë, por këtë vit edhe ekipi është më i mirë dhe më i përgatitur. Kemi rezultate të mira. Këtë vit kemi pasur përgatitje më të mirë, lojtaret që luajnë jashtë Kosovës janë përgatitur në mënyrë vetanake në bashkëpunim me trajnerët”.
Njëra prej tenisteve që po zhvillohet jashtë vendit është Vesa Gjinaj. Ajo thotë se grupi është i vështirë.
“Unë kam qenë në Amerikë ku jam përgatitur intensivisht që të paraqitem sa më mirë në këtë garë. Po ashtu si ekip kemi pasur një kamp me qëllim për të krijuar një lidhje sa më të ngushtë dhe të krijojmë një ekip të fortë. Shtetet si Estonia në grupin tonë dhe Greqia në grupin tjetër kanë teniste të niveli të lartë. Do të kemi përballje me kundërshtare që janë me shumë eksperiencë. Ne nuk kemi ndonjë presion sa kanë shtetet e tjera. Por, besoj se kemi një ekip shumë të mirë dhe të fortë ku ka gjasa të mëdha për befasi dhe qëllimi është të qëndrojmë në këtë grup. Për mua kjo garë do të ketë ndikim shumë të madh dhe do të jetë eksperiencë e madhe që do të më ndihmojë shumë për turnetë e radhës”, ka thënë Gjinaj.