Sport

Ten Hagu falënderon Cityn që i dha mësim Unitedit duke e demoluar në derbi

Foto: Reuters

Trajneri i skuadrës së Manchester Unitedit, Erik ten Hag falënderoi homologun e tij, Pep Guardiolën dhe Manchester Cityn që ia shfaqën realitetin e ekipit të tij në derbin e së dielës së shkuar, në të cilin kampioni i Anglisë demoloi “Djajtë e Kuq”. Gjiganti nga “Old Traffordi” është në procesin e rindërtimit pas largimit të Sir Alex Fergusonit, kampanjës së mjerë që pa shkarkimin e Ole Gunnar Solskjaerit dhe dështimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick. Sezoni i dobët i Unitedit do të thotë se ata aktualisht po përgatiten për aksionin në Ligën e Evropës dhe jo për futbollin e Ligës së Kampionëve, me skuadrën që niset për në Qipro për t'u përballur me Omonia Nicosian pas humbjes poshtëruese 6:0 nga Manchester City. Erling Haaland dhe Phil Foden shënuan të dy “hat-trick” në një goditje që tregoi hendekun e madh midis skuadrave nga qyteti i njëjtë, Manchesteri. Dueli mes Omonias dhe Unitedit, zhvillohet të enjten prej orës 18:45 dhe i takon Grupit E të Ligës së Evropës.

“Natyrisht që ishte një ditë e vështirë. Si gjithmonë ne analizojmë dhe e bëjmë atë të vështirë, realitetin. Ishte një kontroll realiteti, kështu që ne duhet të mësojmë prej tij dhe të vazhdojmë. Ju gjithmonë respektoni kundërshtarin, por ne do t'u përmbahemi filozofisë, rregullave, parimeve tona. Në taktika ndonjëherë, edhe për të befasuar kundërshtarët, duhet të sjellësh diçka ndryshe në lojën tënde dhe këtë do ta bëjmë edhe për të ardhmen”, tha Ten Hag të mërkurën. “Por ne mund të kemi shumë besim në lidhje me këtë teori, kur mposhtni Arsenalin, Liverpoolin dhe tani ne marrim një kontroll realiteti me Cityn. Kështu që, ne e dimë se duhet të rritemi. Pra, faleminderit për mësimin, nga Pep dhe City. Ne do ta marrim atë dhe duhet të kuptojmë se duhet t'i bëjmë gjërat shumë më mirë”.

Ten Hag kur mori drejtimin e Unitedit, e dinte gjithmonë se do të kishte pengesa së bashku me rezultatet pozitive, por tha se performanca e së dielës e ekipit të tij ishte “e papranueshme”.

Mesfushori Bruno Fernandes tha se ata kishin një takim me trajnerin për të kaluar “gjërat e vështira, gabimet që bëmë”, me kapitenin e vendosur që ta rikthejë ekipin në rrugën e duhur pas asaj humbjeje ndëshkuese.

“Natyrisht ne e dimë se loja që luajtëm nuk ishte mjaft e mirë për standardet tona, për atë që duam të arrijmë këtë sezon. Ne e kemi zhgënjyer fare klubin, jo vetëm një apo dy lojtarë. Së bashku nuk bëmë mjaftueshëm për të fituar ndeshjen, për të marrë pikë nga ajo ndeshje. Ne të gjithë, duke filluar nga unë jemi të zhgënjyer me rezultatin padyshim. Derbi na ndihmoi për të parë se çfarë diferencë kemi ende për të përmirësuar. Duhet të bëjmë ende më shumë”, pranoi Fernandes. “Ne e dimë se çfarë duam të arrijmë, ne e dimë se çfarë duam të bëjmë. Unë e di se çfarë kërkon trajneri nga unë. Mendoj se të gjithë e dimë se çfarë dëshiron trajneri për ne si ekip dhe mendoj se tani është koha për t'u rikthyer te rezultatet e mira. Ne kemi mundësinë ta bëjmë atë menjëherë ndaj Omonias”.

Manchester Unitedi ka udhëtuar drejt Qipros me një ekip prej 22 lojtarësh, pasi Harry Maguire, Raphael Varane, Aaron Wan-Bissaka dhe Donny Van De Beek mungojnë për shkak të lëndimeve.

“Ata nuk janë të disponueshëm për duelin me Omonian, por shpresoj të jeni gati për ndeshjet e tjera”, tha Ten Han. “Në rastin e Varanes, kam shumë shpresë se ai do të jetë në gjendje të luajë së shpejti. Harry do të marrë pak më shumë dhe dy të tjerët nuk mund të japë një prognozë”.

Pas shtatë ndeshjeve të luajtura në Premier League, Unitedi renditet i gjashtë në tabelë me 12 pikë, me katër fitore dhe tri humbje të regjistruara deri më tani. Ka tetë pikë më pak se City që është i dyti dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur. Arsenali është lider me 21 pikë të mbledhura.