Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, e vlerëson të papranueshme largimin e Cristiano Ronaldos nga stadiumi në ndeshjen miqësore kundër Rayo Vallecanos. Ai ka thënë se është e pafalshme mënyra e sjelljes nga ylli portugez.
Ronaldo u paraqit si titullar në ndeshjen e luajtur në fundjavën e shkuar në miqësoren që përfundoi baras 1:1. Ronaldo u zëvendësua pas pjesës së parë dhe u largua nga stadiumi.
“Unë sigurisht nuk e fal këtë. Kjo është e papranueshme. Për të gjithë vlen. Ne jemi një ekip dhe ju duhet të qëndroni deri në fund”, ka thënë Ten Hag në një intervistë dhënë për “Viaplay Sport” të Holandës.
Ronaldo nuk ishte pjesë e ekipit anglez në përgatitjet që i zhvilloi në Azi dhe Australi për shkaqe familjare.
Portugezi është raportuar se nuk dëshiron të mbetet edhe më gjatë pjesë e Unitedit, ndërsa shumë skuadra të mëdha evropiane kanë refuzuar ta transferojnë.