Sport

Telashet e Francës sjellin kujtime nga Botërori 2002

Franca është kampione në fuqi, por telashet në fazën përgatitore nënkuptojnë që “Les Bleus” shkojnë në ndeshjen hapëse të së martës ndaj Australisë me kujtime nga Botërori 2022.

Lëndimet e lojtarëve kryesorë shkaktuan kokëdhembje për selektorin Didier Deschamps edhe para lajmit dramatik të së shtunës mbrëma që fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema, do të mbetet jashtë Botërorit për shkak të një lëndimi në kofshë.

Federata e Futbollit e Francës ka konfirmuar se Benzema do të jetë jashtë për tri javë, që do të thotë se ka fare pak gjasa që ai të jetë gati edhe për finalen eventuale më 18 dhjetor.

Por cilat janë gjasat e Francës që të shkojë deri në fund, si katër vjet më parë kur në finale e mposhti Kroacinë, 4:2, në Moskë?

Franca kishte fituar Botërorin 2018 pa Benzeman, por në Rusi i kishte në mesfushë Paul Pogban dhe N’Golo Kanten, që mungojnë këtë herë për shkak të lëndimeve.

Francës i mungojnë edhe portieri i Milanit, Mike Maignan, mbrojtësi i qendrës i PSG-së, Presnel Kimpembe, dhe sulmuesi i RB Leipzigut, Christopher Nkunku, lojtari më i mirë i Bundesligës në edicionin e kaluar.

Mbrojtësi i qendrës, Raphael Varane, një tjetër lojtar bartës në Botërorin 2018 po lufton për të qenë i gatshëm. Franca luan edhe me Tunizinë dhe Danimarkën në Grupin D.

“Nuk është mirë”, ka thënë Deschamps të dielën për TF1. “Por ne kemi objektivin dhe kemi skuadër kualitative me lojtarë që e dinë se çka pritet prej tyre. Kam besim në ta”.

Franca ende ka lojtarë yje. Kylian Mbappe do të jetë në sulm.

“Nuk jemi shumë të brengosur dhe të gjithë presin të luajnë rolin e tyre. E dimë se pavarësisht se kush është në fushë, ekipi do të jetë i mirë”, ka insistuar mbrojtësi Axel Disasi.

Por nuk ka të bëjë vetëm me lëndimet. Franca shkoi në Katar duke fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit.

Ndjenja se situata nuk është më e mira u rrit në muajt e fundit për zhvillime jashtë fushe. Kishte një mosmarrëveshje të FFF-së dhe Mbappes për të drejtat e imazhit, ndërsa qeveria tha se do të fillojë një auditim të federatës.

Në fushë, selektori Deschamps hoqi dorë nga mbrojtja me tre lojtarë, duke u kthyer në mbrojtjen me katër, që i shërbeu aq mirë në vitin 2018. Ky ndryshim u bë edhe për shkak të përvojës jo të mirë në Euro 2020.

“Kemi bërë gjëra të mira duke luajtur me tre mbrojtës, por po ashtu kemi pasur vështirësi dhe shpesh na ka munguar balanca”, ka pranuar Deschamps.

Përgatitjet e Francës sjellin në mendje Botërorin 2022. Në Botërorin e kaluar të mbajtur në Azi, Franca po ashtu ishte kampione në fuqi. Yll i atëhershëm ishte Zinedine Zidane. Ai mungoi në dy ndeshjet e para për shkak të një lëndimi në kofshë. Robert Pires mungoi po ashtu. Kur Zidane u kthye për ndeshjen e fundit në grup ndaj Danimarkës, tashmë ishte shumë vonë. Franca u eliminua pa shënuar asnjë gol.

Të jesh kampion në fuqi nuk do të thotë shumë në Kupën e Botës. Italia mundi Francën në finalen e vitit 2006, por u ndal në fazën grupore katër vjet më pas. Të njëjtin fat e kishte Spanja në vitin 2014 dhe Gjermania katër vjet më parë. Të tri përfaqësueset i mbajtën trajnerët që i dërguan drejt titullit.

Edhe Franca i ka besuar Deschampsit. Ai ka insistuar se nuk do të ketë vetëkënaqësi.

“Ne kemi një status dhe kjo është e mirë. Por nuk ka garanci. Ne kemi shumë energji dhe përkushtim”, ka thënë Deschamps.