Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tek Interi nuk dorëzohen, besojnë se do të avancojë në çerekfinale të Championsit

Trajneri Simone Inzaghi insiston se ekipi i tij, Interi, do të dalë në fushë në ndeshjen kundër Liverpoolit me synimin për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pavarësisht gjasave të vogla.

Interi u mposht 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në “San Siro”, më 16 shkurt, përkundër dominimit në fushë për pjesën më të madhe të kohës. Por skuadra italiane në atë ndeshje nuk arriti ta thyejë mbrojtjen e kontrolluar nga Virgil van Dijk. Ajo humbje e lë Inzaghin me një detyrë të vështirë - të përpiqet ta bëjë Interin vetëm skuadrën e dytë në histori të Championsit ta përmbysë një rezultat prej dy golave në fazën e nokautit. Interi përballë ka Liverpoolin, një ekip që ka fituar në 12 ndeshjet e fundit dhe nuk ka humbur në shtëpi tashmë një vit.

Dueli i kthimit zhvillohet të martën mbrëma prej orës 21:00 në stadiumin “Anfield Road”.

“Ne u ndëshkuam shumë ashpër në ndeshjen e parë dhe tani kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme kundër një prej ekipeve më të mira në Evropë. Ne do të dalim në fushë të motivuar dhe me qëllim që të kemi një paraqitje të mirë për të avancuar tutje”, ka thënë Inzaghi të hënën në konferencën për shtyp. “Shënimi i një goli në pjesën e parë është shumë i rëndësishëm. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne kemi pasur tri ditë për t'u përgatitur dhe djemtë janë të fokusuar”.

Ndeshja ndaj Liverpoolit ishte e para e ekipit italian në një garë evropiane me eliminim direkt për një dekadë. Por Inzaghi insiston se ekipi i tij është në rrugë për t’u kthyer në nivelet më të larta të futbollit kontinental. Aktualisht Interi po lufton në tri fronte. Është favorit për ta mbrojtur titullin e kampionit në Serie A.

Edhe Interi synon t’i shfrytëzojë telashet e Liverpoolit Futboll Interi synon t’i shfrytëzojë telashet e Liverpoolit

Në xhiron e fundit të kampionatit, Interi e mposhti 5:0 Salernitanan duke i dhënë fund një serie prej katër ndeshjeve pa shënuar gol. Ndaj Liverpoolit, skuadrës së Inzaghit pritet t’i mungojë mesfushori Nicolo Barella.

“Pas një kohe të gjatë jemi kthyer në 1/8 e finales së Championsit dhe dëshira është të shkojmë tutje. Natyrisht nuk ishim me fat në short, por jemi gati për të luftuar. Ne e përballuam mirë ndeshjen e parë dhe besoj se të njëjtën gjë mund ta bëjmë edhe në të dytën”, insistoi Inzaghi.

Homologu i Inzaghit, gjermani Juergen Klopp, ka paralajmëruar futbollistët e tij në prag të ndeshjes së kthimit. Klopp ka insistuar se Interi nuk do të jetë vetëm turist në “Anfield Road” dhe ka kërkuar nga ekipi i tij që të tregohet maksimalisht i kujdesshëm, pavarësisht se e ka fituar duelin e parë me shifrat 2:0.

Liverpooli është në pozitë të mirë për t’u kualifikuar në çerekfinale, por Klopp nuk dëshiron të marrë asgjë të garantuar. Ai ka thënë se Liverpooli duhet të ndihet i rrezikuar nga Interi dhe për këtë arsye, duhet të përpiqet ta fitojë edhe ndeshjen e kthimit.

“Të gjithë e dinë se rezultati më i rrezikshëm është 2:0. Mendoj se është një epërsi që më së shpeshti është kthyer në historinë e futbollit dhe për këtë arsye duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh. Ende asgjë nuk është e siguruar, sepse ndeshja e parë ishte shumë e vështirë dhe e fortë”, ka thënë Klopp, i cili ka insistuar se Interi ka një ekip shumë cilësor. “Është një skuadër shumë e mirë dhe me përvojë e cila përfundimisht nuk do të dalë në fushë vetëm për turizëm. E kam parasysh se prej fillimit të ndeshjes do të përpiqen të shënojnë, gjë të cilën do ta kërkojmë edhe ne për shkak se nuk jemi ekip që mbrojmë rezultatin. Duam të sulmojmë dhe të fitojmë”.

Te Liverpooli për këtë ndeshje do të kthehen sulmuesi Roberto Firmino, mesfushori Thiago Alcantara dhe mbrojtësi Joel Matip, që janë rikuperuar nga lëndimet.

Edhe Inzaghi: Do të jetë ndeshje e vështirë Futboll Inzaghi: Do të jetë ndeshje e vështirë

Të martën mbrëma zhvillohet edhe dueli tjetër i kësaj faze të Championsit. Skuadra e Bayernit e pret në shtëpi Salzburgun e Austrisë. Në duelin e parë, të luajtur në Austri, rezultati ishte 1:1, me bavarezët që në fund të takimit e kanë siguruar barazimin. Te Bayerni në këtë takim kthehet portieri Manuel Neuer, i cili në fillim të muajit iu nënshtrua operimit të gjurit. Neuer do të jetë titullar, por trajnerit Julian Nagelsmann do t’i mungojnë Corentin Tolisso, Leon Goretzka e Alphonso Davies.

“Manueli do të jetë në portë dhe kjo do të jetë motiv shtesë për ekipin. Këtë e them për shkak se me të në portë jemi të pandalshëm si ekip”, ka thënë Nagelsmann.