Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, shpreson të rifillojë stinori në La Liga në qershor, ndërsa data e preferuar e tij është 12 qershori. Ai në një intervistë për rrjetin televiziv “Movistar”, ka thënë se është i kënaqur me numrin jo të madh të infektuarve pas testimeve të lojtarëve.
Janë regjistruar në total tetë të infektuar, siç ka treguar Tebas, përfshirë këtu edhe stafin.
Ai po ashtu ka thënë se gjasat janë që të ketë ndeshje në ligë çdo ditë për 35 ditë me radhë.
“Nuk e di se kur do të kthehet futbolli. Nuk e di nëse është data më e mundur 19 qershori, por do të më pëlqente 12 qershori. Gjithçka varet nga situata. Mund të ketë ndeshje në ligë çdo ditë për 35 ditë. Lojtarët do të testohen 24 orë para ndeshjeve. Rreziku më i ulët do të jetë gjatë ndeshjeve. Unë kërkoj që t’u përmbahemi rregulloreve shëndetësore. Ne jemi në kontroll të lojtarëve, dhe në shtëpi u kërkoj atyre që të respektojnë protokollin”, ka thënë Tebas. “Sjellja jonë duhet të jetë shembullore për shoqërinë. Shoh shumë përgjegjësi nga ana e lojtarëve. Duhet t’i adaptohesh rrethanave dhe ne kemi punuar në protokolle, strukturim të ideve se si të veprojmë në kushtet më të mira pa shkaktuar ndonjë dëm. Ne kemi pritur 25 deri 30 testime pozitive, bazuar në numrat në Bundesligë dhe se sa shumë virusi është përhapur në Spanjë. Nga 2500 të testuar kemi vetëm tetë raste pozitive, përfshirë edhe stafin këtu, që është lajm i mirë.
Klubet pas testimeve kanë filluar të kthehen në stërvitje. Real Madridi do t’i kthehet stërvitjeve sot. Barcelona e Atletico Madridi janë kthyer gjatë javës së kaluar. Tebas ka thënë se ka rrezik minimal që lojtarët të infektohen gjatë ndeshjeve.
“Infektimet gjatë ndeshjeve praktikisht janë të pamundura, pasi kemi bërë studime që tregojnë se ka rrezik minimal në ndeshjet nëse të gjithë respektojmë masat shëndetësore”, ka thënë Tebas.
Edhe
Edicioni i ardhshëm i La Ligas fillon më 12 shtator
Tebas ka shtuar se pasi ndeshjet do të jenë pa shikues do të kenë disa ide inovative të transmetimit të tyre.
Por, jo të gjithë janë në pajtim që të rifillohet më 12 qershor. Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka thënë se është shumë herët të fillohet në këtë datë.
Raportohet se ndeshja e parë në rifillim mund të jetë derbi i Sevillas, mes Betisit dhe Sevillas.